Mallorca feston triumfin ndaj Realit, 18 muaj pasi luante në rang të tretë

Prishtinë | 21 Tet 2019 | 10:43 | Nga Ekonomia Online

Ka disa njerëz që është dashur të pickonin veten pas fitores së papritur 1:0 të Real Mallorcas ndaj Real Madridit të shtunën. Por asnjëri më tepër sesa shënuesi i golit të vetëm, Lago Junior, dhe bashkëpronari amerikan i klubit, Robert Sarver.

Sulmuesi i Bregut të Fildishtë, Lago Junior, ishte një nga dy lojtarët e Mallorcas në përbërje në ndeshjen e së shtunës që përjetoi rënien shkatërruese në kategorinë e tretë të Spanjës në vitin 2017.

Rënia e kishte lënë Sarverin, pronarin e skuadrës së NBA-së, Phoenix Suns, të pyeste veten se në çfarë meseleje është futur duke investuar 20 milionë dollarë për të blerë Mallorcan në janar të vitit 2016.

Mirëpo të shtunën heronjtë e Mallorcas, me një buxhet minimal krahasuar me Real Madridin, prodhuan një nga netët më të mëdha të para ndonjëherë në stadiumin “Son Moix”.

Goli sensacional i Lago Juniorit në minutën e shtatë i mjaftoi Mallorcas për të shënuar fitoren e madhe.

“Kur gjërat shkonin keq, trajneri Vicente Moreno gjithmonë kishte besim në mua”, ka thënë 28-vjeçari, që ka luajtur më tepër se 100 ndeshje me klubin, shkruan Reuters, transmeton “Koha Ditore”. “Ky gol ishte për të dhe që kishte besuar në mua”.

Si Lago Junior, edhe mbrojtësi Antonio Rahillo kishte përjetuar rënien e rëndë në Kategorinë e Tretë, para se të bëhej kyç në ngritjen e skuadrës në La Liga. Të shtunën ai me komoditet arriti të mbante nën kontroll transferimin 60 milionë eurosh të Real Madridit, Luka Joviqin.

Nëntë lojtarë të Mallorcas që nisën ndeshjen e së shtunës luajtën në stinorin e suksesshëm në Kategorinë e Dytë të Spanjës.

As në ëndrrat e tij më të çmendura Sarver nuk ka mundur të imagjinojë këtë, kur Mallorca ra në kategorinë e tretë të Spanjës pak më tepër se dy vjet më parë. Ai nuk ka mundur të ëndërronte se ka në dorë një skuadër që do të luajë në La Liga, e lëre më të mposhtë Real Madridin në një stadium të stërmbushur me 20 mijë shikues.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme