Raporti i INSTAT për tregtinë me jashtë thekson se mallrat shqiptare triumfuan në tregun e huaj.
Gjatë muajit prill të këtij viti Shqipëria ka njohur rritje të eksporteve e ulje të importeve krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Instituti i Statistikave ka publikuar raportin për tregtinë me jashtë për muajin prill ku rezulton se eksportet e mallrave arritën vlerën 24 mld lekë, duke u rritur me 13,6 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 1,6 %, në krahasim me Marsin e vitit 2017.
Importet e mallrave në prill 2017 arritën vlerën 50 mld lekë, duke u ulur me 4,3 %, në krahasim me një vit më parë dhe me 7,7 %, në krahasim me Marsin e vitit 2017. Deficiti tregtar i këtij muaji është 26 mld lekë, duke u ulur me 16,5 %, krahasuar me Prillin e vitit 2016 dhe me 15,4 %, në krahasim me Mars të vitit 2017.
Ndikimi i grupeve
Rritja vjetore e eksporteve prej 13,6 %, këtë muaj është ndikuar kryesisht nga grupet: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me +3,4 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me +2,8 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me +2,6 pikë përqindje.
Në ndryshimin vjetor të eksporteve ka ndikuar negativisht grupi: “Prodhime druri dhe letre” me -0,3 pikë përqindje. Eksportet, gjatë katër muajve të parë janë rritur me 16,4 %, krahasuar me një vit më parë. Rënia vjetore e importeve prej 4,3 %, këtë muaj është ndikuar kryesisht nga grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” me -6,5 pikë përqindje, “Produkte kimike dhe plastike” me -0,4 pikë përqindje, “Ushqim, pije, duhan” me -0,1 pikë përqindje.