Këtë reagim e bëj, pas zhvillimeve të kohëve të fundit, që ndërlidhen me Komunën e Deçanit, e sidomos të deklaratave të lëshuara nga komandanti i KFOR-it në Kosovë, Giovanni Fungo, dhe vendimit të Agjensionit Kosovar të Privatizimit (AKP), për likuidim të ndërmarrjeve shoqërore.
Bazuar në këto, e shohim të arsyeshme tu drejtohem qytetarëve të Kosovës, si dhe gjitha institucioneve vendore e ndërkombëtare, ku i ripërsërisim qëndrimet tona, rreth Vendimeve politike dhe të dëmshme për qytetarët, siç janë edhe Vendimet rreth pronave publike të Deçanit.
Në prononcimet e tij për media, Komandanti i KFOR-it, Giovanni Fungo, deklaron se kjo forcë do vazhdon të ruaj edhe më tej Manastirin e Deçanit, që i bie se ky objekt fetar, nuk mund ti besohet as Policisë e as Forcave të Sigurisë së Kosovës. Fillimisht, i themi komandantit, Giovanni Fungo, se objektin për të cilin aludoni, nuk jeni duke e ruajtur ju, sikurse që nuk e kanë ruajtur, as në të kaluarën nga tjerët, por deçanasit të cilët në vazhdimësi e kanë ruajtur Manastirin si monument kulturor dhe fetar, ngase jemi popull që dijmë ti respektojmë vlerat tona kulturore-fetare, siç është edhe ky manastir në Deçan. Ndaj, nuk qëndron fakti se jeni dhe do vazhdoni ta ruani këtë objekt fetar e kulturor, sepse e kanë ruajtur dhe do ta ruajnë, qytetarët e kësaj komune.
Institucionet ndërkombëtare, por edhe vendore, do ishte më mirë që të merren me deklaratat nxitëse të Sava Janjiqit, e mos të akuzojnë popullatën e këtushëm, kinse paraqesin “pa siguri”, ashtu që të vendosin forca të shumta ushtarake në çdo skutë, duke dhënë përshtypje se këto forca, janë vetëm për interesa të manastirit.
Njëjtën kohë, Agjensioni Kosovar i Privatizimit, ka bërë publike se ka vendos ti hedh në likuidim, dy ndërmarrjet shoqërore të Deçanit, Fabrikën e mjaltit “APIKO” dhe Kompleksin hotelier “ILIRIA”, ndërmarrje këto që ishin, shtylla të zhvillimit të Deçanit. Ky vendim i AKP-së për likuidim të këtyre ndërmarrjeve, është vazhdimësi e Vendimeve tjera politike e të dëmshme për Deçanin, siç ishte Vendimi i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, e më vonë, edhe aprovimi i këtij Vendimi nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, në krye me Arta Rama Hajrizi. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili njeh Vendimin për falje të pronave shoqërore, Manastirit të Deçanit, është Vendim i dëmshëm dhe i ndikuar politikisht, e që sipas ekspertëve të çështjeve juridike, Vendimi i Kushtetueses, është një “NON-SENS JURIDIK”.
Zërat që qarkullojnë, kinse jemi kundër Gjykatës Kushtetuese dhe institucioneve tjera të vendit, janë qëllim këqija, janë kundër interesave qytetare. Ata, që dyshojnë në qëndrimet tona, do e kishin më mirë, që të analizojnë bazën e ligjshmërisë së vendimeve ta marra, e jo të veprojnë sipas diktateve politike. Këto vendime politike, po dëmtojnë edhe kredibilitetin e Institucioneve më të larta shtetërore, duke pranuar se këto institucioni, nuk kanë kredibilitet etik e as profesional.
Që ta largojmë çdo dilemë të atyre që kanë mendime të “errëta”, ndaj reagimeve tona, përsërisim se, me fanatizmin më të madh e respektojmë Kushtetutën e vendit, Ligjet dhe institucionet e drejtësisë. Por, e ripërsërisim se çdoherë do ti kundërshtojmë Vendimet politike që janë kundër Kushtetueses dhe ligjeve të shtetit tonë, e aq më shumë kundër vendimeve të ardhura nga Qeveria e Millosheviqit.
Bëjmë thirrje gjithë faktorëve politik ndërkombëtar dhe vendor, që të kenë kujdes në trajtimin e çështjeve që ndërlidhen me popullatën e Deçanit, pa dallim nacionaliteti, race apo feje, e mos të hapin plagë, të cilat nuk i ndihmojnë së ardhmes demokratike e të integruar, siç është edhe Vendimi i Supremes dhe Kushtetueses.
Ftojmë institucionet vendore dhe ndërkombëtare, që të marrin veprime që mundësojnë bashkëjetesën, që krijojnë frymë të mirëbesimit dhe tolerancës ndër-etnike, që krijojnë mundësi të zhvillimit ekonomik të kësaj komune dhe më gjerë, e jo vendime që janë të dëmshme për të ardhmen.
(Autori është drejtor i Shoqaës së Intelektualëve të Pavarur në Deçan)