Manastirliu tregon kur mbërrijnë 14 mijë e 400 dozat nga AstraZeneca

Prishtinë | 09 Mar 2021 | 16:56 | Nga Ekonomia Online

E pranishme sot në ambientet e Spitalit Covid2, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka falenderuar bluzat e bardha për punën e palodhshme dhe përkushtimin për të përballuar këtë sfidë të vështirë.

Manastirliu u shpreh se me punën e tyre do të përpiqen që të shtojnë sa më shumë dozat e vaksinës anti Covid për vendin, teksa shtoi se janë në bisedime me kompaninë Covax për 14.400 dozat e vaksinave, të cilat priten të vijnë së shpejti.

“Nëse do të bënim sot një bilanc, bilanci sigurisht është mijëra jetë të shpëtuara, por për fat të keq, kemi 1956 jetë të humbura, që janë një humbje e madhe për të gjithë ne, një humbje e pakthyeshme, ndaj ajo çfarë dua të them është që lufta nuk ka përfunduar, patjetër që do ketë kohë për balancet finale por ajo çfarë unë dua të nxjerr në pah është kurajoja juaj, është shpirti juaj i sakrificës, është puna e palodhur kur edhe në ato momente kur e panjohura ishte aq e madhe, ju nuk u frikësuat, nuk u tutët, nuk u stepët asnjëherë për të vijuar misionin tuaj në shërbim të gjithë njerëzve dhe unë për këtë gjë, ju falenderoj e ju përulem me respekt dhe mirënjohje për të gjithë punën tuaj”, tha Manastirliu.

Duke folur për masat për përballimin e pandemisë, Ministrja e Shëndetësisë u shpreh:

“Kemi ende shumë për të bërë, por fakti që sot kemi më shumë kapacitete të shtuara në terapitë intensive, më shumë kapacitete respiratore, kemi rreth 507 respiratorë, pajisje jetëshpëtuese, pra kemi një flotë të aparatuarve, e cila krijon komoditetin mbi të gjitha për ju, për të ofruar shërbim dhe kujdes shëndetësor cilësor, është një hap më shumë drejt epërsisë ndaj virusit, sepse padyshim fitorja kërkon akoma më shumë punë, akoma më shumë sakrificë dhe mbi të gjitha kërkon bashkëpunimin e qytetarëve”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë ka garantuar vijimin e mbështetjes për bluzat e bardha në vijën e parë të betejës me bonusin special prej 1 mijë euro mbi pagën për mjekët dhe infermierët dhe 500 euro për stafet mbështetësë, nga ku kanë përfituar mbi 4 mijë personel shëndetësor. Manastirliu e konsideroi dritë në fund të tunelit vijimin e procesit të vaksinimit dhe lajmëroi se do të vijojë furnizimi me dozat e radhës sipas kontratës me kompaninë Pfizer.

“Unë jam e kënaqur që brenda kësaj jave përfundojmë vaksinimin e ekipeve tona mjekësore, infiermierore dhe ky është një hap drejt fitores ndaj virusit por nuk është mjaftueshëm sepse në fakt e gjithë popullata, sidomos ata të cilët janë grupe prioritare, do të vijojnë vaksinimin, ashtu sikurse ne jemi duke bërë. Më shumë se 20 mijë vaksinime janë kryer deri tani, presim të hënën të vijnë dozat e tjera të kontratës së Pfizer, për të vijuar vaksinimet e të gjithë personelit dhe të moshuarve që tashmë i kemi kryer me dozën e parë. Presim nga COVAX të vijnë dozat e vaksinës AstraZeneca dhe do të njoftohemi besoj në një moment të shpejtë për datën e mbërritjes së 14,400 vaksinave nga instrumenti COVAX”, tha Manastirliu.

Mjekët dhe infermierët e Spitalit Infektiv u shprehën se sot janë profesionalisht më të përgatitur në përballjen me COVID19 dhe kërkuan bashkëpunimin e qytetarëve për ta çuar luftën deri në fund.

“Më lejoni të shpreh emocionet e mia për gjithë punën e bërë në këtë spital, që ditën kur u bë shtrimi I dy rasteve të para, e thënë sot duke e lehtë, e bërë atë ditë, ishte e vështirë. Më shumë ishte pjesa e emocioneve, frikës dhe përgjegjësisë”, u shpreh prof. Najada Çomo.

Ndërsa prof. Tritan Kalo u shpreh: “Ky vit na ka mësuar shumë gjera, por mbi të gjtiha na ka mësuar se asgjë nuk kapërcehet pa frymën e ekipit dhe pa punën e një ekipi të tërë”.

Edhe prof. Pëllumb Pipero vlerësoi punën e ekipit në këtë vit të vështirë të përballimit të pandemisë. “Të gjithë këta që shihni këtu, infermierë, kryeinfermirë, kolegë, profesorë, të gjithë ne jemi të përkushtuar dhe të motivuar për ta përballuar deri në fund këtë sfidë dhe besoj me mirëkuptimin dhe ndihmën e qytetarëve, e cila nuk na ka munguar, do ia dalim shpejt dhe do e mundim këtë pandemi”.

Që prej fillimit të pandemisë në vend janë shënuar 113,580 raste pozitive, 1956 humbje jete, ndërsa 75,887 qytetarë e kanë fituar betejën me virusin e rrezikshëm. Aktualisht në vendin tonë janë 35,737 raste aktive me COVID19.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme