Seleksionuesi i Italisë, Roberto Mancini thotë se ka humbur shokë nga koronavirusi dhe pranon se pamja e kamionëve ushtarakë duke bartur arkivolet nga Bergamo ishte shumë e rëndë.
Situata ende nuk ka arritur kulmin, ndërsa numri i të vdekurve në Itali ka shkuar në afro 5000.
“Unë jam i shqetësuar për prindërit e mi, që jetojnë në Jesi, edhe pse janë mirë. Motra ime më telefonoi dhe më tregoi se një shok i imi i fëmijërisë ka vdekur nga koronavirusi. Ai luante futboll me mua kur ishim fëmijë. Punonte për organizatën bamirëse Croce Verde në Jesi”, ka treguar Mancini për “La Gazzetta dello Sport”.
Bergamo është goditur më së rëndi nga pandemia në Itali, siç është parë edhe nga fotot që kanë qarkulluar, ku kamionët e ushtrisë kanë vërshuar qytetin duke bartur arkivolet për të dërguar në krematoriume në qytete tjera.
“Pamja e kamionëve të ushtrisë duke vërshuar rrugët në Bergamo për të marrë arkivolet, ishte si një grusht në fytyrë. Asnjëri nuk ishte i përgatitur për këtë ferr në tokë. Të mendosh se njerëzit po vdesin pasi nuk ka mjaftueshëm shtretër për kujdes intensiv është absurde, totalisht e papranueshme. Mjekët tanë po bëjnë punë heroike dhe unë kam besim absolut në ta. Kjo është edhe arsyeja pse nuk po e shqyrtoj largimin nga Italia”, ka shtuar Mancini.
Ai ka folur edhe për Evropianin e vitit të ardhshëm.
“Unë pres një Kampionat Evropian të nivelit shumë të lartë, kualitetit të madh. Ne do të bëjmë çdo gjë në forca tona për të fituar. Mezi po pres të qëndrojë në bankinë dhe të dëgjojë himnin. Pas të gjithave që ka kaluar vendi, do të jetë emocion i veçantë”, ka thënë Mancini, që ka shtuar se do të ketë ndryshime në përfaqësuese për Evropian.
Evropian është shtyrë për një vit nga UEFA pas situatës së krijuar nga koronavirusi.