Mangësi të shumta në ndërtimin e aktakuzave, “Drejtësia Sot”: Ka mungesa të kualifikimit të veprës penale

Prishtinë | 19 Shk 2021 | 10:42 | Nga Aulona Sylaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Platforma “Drejtësia Sot” nga GLPS, ka shpalosur të gjeturat e analizës “Mangësitë e aktakuzave në veprat penale korruptive”, ku u tha se ka pasur mungesë të kualifikimit të veprës penale, përcaktimit të palës së dëmtuar, ekspertizës financiare, përshkrimit të gjendjes faktike, raporton Ekonomia Online.

Menaxherja e projekti, Rreze Hoxha Zhuja, tha se poashtu kanë vërejtur mungesë te definimit të personit zyrtar.

“Kësisoji prokuroria nuk ka arritur që saktësisht të përcaktoj nëse e akuzuara gjatë kryerjes së veprës penale ka qenë në ushtrim të detyrës apo jo”, tha ajo.

Tutje ajo, tha se kanë hasur në një aktakuzë që nuk ka pasur përshkrim të qartë të gjendjes faktike.

“Një praktik e tillë krijohet nga mungesa e precizimit të veprimeve inkriminuese të të pandehuerve në rastet kur janë akuzuar disa persona”, tha Hoxha-Zhuja.

Fjala e plotë e Rreze Hoxha Zhuja:

“Drejtësia Sot” platformë e Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) organizoi gjatë ditës së sotme, Konferencën për Media në të cilën u shpalosën të gjeturat e botimit “Mangësitë e aktakuzave në veprat penale korruptive”. Kjo konferencë u titullua “Arsyet prapa mungesës së efikasitetit të sistemit prokurorial në luftimin e veprave penale korruptive”.

Ky hulumtim ka analizuar disa nga aktakuzat e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK-së), dhe të prokurorive themelore në Kosovë.

Nga të dhënat e analizës, Drejtësia Sot, ka vërejtur që aktakuzat e PSRK-së dhe prokurorive themelore të Kosovës kanë mangësi posaqërisht në elementet e domosdoshme të tyre. Këto mangësi kryesisht kanë të bëjnë me mos përcaktimin e saktë të vlerës së dëmit (mungesës së ekspertizave financiare), pastaj mungesës së precizimit të palës së dëmtuar si dhe paqartësive në paraqitjen e saktë të veprimeve inkriminuese të të akuzuarëve.

Drejtësia Sot, në pjesën e parë të hulumtimit ka trajtuar bazën ligjore dhe elementet e hartimit të një aktakuze. Ndërsa në pjesën e dytë ka analizuar 5 aktakuza të PSRK-së (ndër të cilat edhe rastet TOKA 1 dhe 2, pastaj rastin Veteranët, rastin Pronto) dhe 7 aktakuza të prokurorive themelore në Kosovë.

Drejtësia Sot, ka gjetur se në aktakuza ka mangësi në: 1. Kualifikimin e saktë të veprës penale; 2. Përcaktimin e palës së dëmtuar dhe dëmit të shkaktuar; 3. Zhvillimin e ekspertizave financiare të cilat lidhen direkt me precizimin e dëmit të shkaktuar; 4. Përshkrimin e qartë të gjendjes faktike; dhe 5. Definimin e personit zyrtar.

Të tilla mangësi të vërejtura në aktakuza, sipas Drejtësia Sot, shkaktojnë paqartësi, huti juridike e në raste më të rënda (si p.sh në kualifikim të gabuar të veprës penale nga prokuroria) gjykatat përfundojnë gjykimin e rastit me Aktgjykim Lirues.

Kurse në raste të mos përcaktimit të palës së dëmtuar, apo precizimit të dëmit, pamundësohet definimi i palës së dëmtuar si dhe vetë dëmit të shkaktuar e vlerës së tij. Më tutje, analiza ka trajtuar rolin dhe detyrat e gjykatës në raport me kontrollimin e aktakuzave dhe ka ofruar një përshkrim të saktë të rrugëtimit e rregullimit ligjor sa i përket elementeve përbërëse për ndërtimin e aktakuzave në kuadër të Kodit të Procedurës Penale në Republikën e Kosovës. Në këtë aspekt janë portretizuar edhe ndryshimet në të cilat kanë kaluar dispozitat ligjore që përcaktojnë elementet përbërëse të aktakuzës si dhe ndryshimet që pritet të bëhen në kuadër të projekt- kodit të ri. Dhe në fund, është bërë një vlerësim karahasimor i dallimeve dhe ngjashmërive të rregulllimit të përmbajtjes së aktakuzave sipas KPPRK-së në Kosovë dhe kodeve të procedurës penale në vede të tjera në rajon. Pra, në kuadër të kësaj analize janë paraqitur mangësitë e aktakuzave të rasteve të identifikuara nga monitorimet, me qëllim që të njëjtat mangësi të merren parasysh dhe që të shërbejnë si një praktikë për të evituar përpilimin e aktakuzave me mangësi të tilla.

 Andaj Drejtësia Sot rekomandon Prokurorinë që me rastin e ngritjes së aktakuzave për vepra korruptive, të: 1. Përcaktohet saktë gjendja faktike, përkatësisht të bëhet kualifikimi i saktë ligjor i veprës penale duke i’u referuar dispozitave të Kodit Penal; 2. Bëhet precizimi i dëmit në bazë të ekspertizave financiare; 3. Bëhet precizimi i palës së dëmtuar, në atë mënyrë që saktë të identifikohet kush është palë e dëmtuar; dhe 4. Përcaktohen saktë veprimet inkriminuese të pandehurve, në atë mënyrë që dispozitivi i aktakuzës të përmbajë në mënyrë të qartë dhe precize përshkrimin e gjendjes faktike.

Në fund Drejtësia Sot, rekomandon që Ministria e Drejtësisë gjatë draftimit të KPPRK-së në kuadër të elementeve përmbajtësore të aktakuzës të përfshij përsëri pikat 1.8 par 1 e nenit 241 të KPPRK-së aktuale, që kanë të bëjnë me hetuesinë e veçantë. Ndërsa për të dhëna më të hollësishme rreth analizës mund të vizitoni platformën e GLPS-së në DREJTËSIA SOT.

https://vimeo.com/514201678

Të ngjashme