Ministria e Administratës Publike (MAP), me rastin e Ditës së Shërbimit Civil, ka ndarë mirënjohje për nëpunësit civilë më të dalluar të vitit. Kjo është hera e nëntë që MAP ndan mirënjohje për shërbimin civil.
Të pranishëm, pos ministrit Yagcilar dhe zëvendësministrave të MAP-it, Sami Hajdaraj e Bujar Nervojaj, ishin edhe përfaqësuesit e Kryeministrisë, të KPMK-së, të sindikatave dhe shërbyes civil të nivelit lokal dhe qendror.
Përfaqësuesi i Zyrës së Kryeministrit, Besnik Tahiri, tha se nëpunësit civilë janë të parët që ballafaqohen me problemet e qytetarëve. Sipas tij, administrata publike që prej fillimit deri në këtë ditë ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në konsolidimin e shtetit, raporton Ekonomia Online.
“Për këtë ditë mund të flasim gjerë e gjatë por janë dy momente qe unë do t’i ndaja me ju. Çka e bën të veçantë Kosovën është se Administrata Publike që prej fillimit deri në këtë ditë ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në konsolidimin e shtetit dhe të strukturave të tij”.
“Ju jeni syri parë, dora e parë, veshi i parë i popullit. E dyta ju jeni target i problemeve, të parët që u administrohen problemet, prandaj edhe ruajeni qetësinë”, tha Tahiri.
Ministri i Administratës Publike (MAP), Mahir Yagcilar, uroi nëpunësit e shërbimit civil për punën dhe përkushtimin.
“Kam kënaqësinë që sot së bashku të shënojmë ditën e Shërbimit Civil. Ju uroj për punën dhe përkushtimin në funksionimin e mirëfilltë të administratës publike në dobi të shtetit dhe në shërbim të qytetarëve”.
Yagcilar tha se vazhdimisht po punohet në shndërrimin në një administratë profesionale. Ai shtoi se reformat kanë ecur mjaft mirë, gjë që është reflektuar edhe në raportet ndërkombëtare.
“Fokusi jonë primar është reformimi i administratës, në këtë fushë kemi ecur mjaft përpara dhe kemi shënuar progres të dukshëm. Vlerësimet janë pasqyruar edhe në raportin e Komisionit Evropian dhe të Sigmës për vitin 2017”.
Yagcilar foli edhe për Ligjin e ri për pagat, i cili do të fillojë të zbatohet edhe te Shërbimi Civil.
“Sistemi aktual nuk siguron pagë të barabartë për punë të barabartë, në gjithë sektorin publik. Ligji aktual për nënpunësit civilë për paga nuk ka gjetur zbatim nga aspekti i pjesës financiare, mirëpo me ligjin e ri të pagave kjo do të rregullohet”, tha ai.
Ministri falenderoi edhe Komisionin Evropian, Sigmën, Bankën Botërore dhe UNDP-në që kanë mbështetur administratën me donacione.
Anëtari i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, Lulzim Aliaj, tha se ankesat e nëpunësve civilë janë rritur përkundër plotësimit të legjislacionit, kjo si shkak i rritjes së vetëdijes së nëpunësve dhe besimit të këshillit.
”Këshilli është insitut që do të sigurojë zbatimin e plotë të ligjit me qëllim të mbrojtjes së statusit civil. Përkundër që ka zhvillim në plotësimin e legjlisacionit, ankesat janë rritur. Në bazë të analizave, rritja e ankesa vjen si pasojë e rritjes së vetëdijes së nëpunësve për t’u ankuar dhe rritjes së besimit të këshillit”, tha Aliaj.
“Në vitin 2017 kemi pasur 817 ankesa, më shumë se vitet e kaluara. Ndërsa kanë qenë 523 shkelje të parimit civil”, përfundoi ai.