Maqedonasit ëndërrojnë finalen pa u përballur me Kosovën

Prishtinë | 07 Dhj 2019 | 08:48 | Nga Ekonomia Online

“Lufta” për pozitën e kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës ka bërë që në Maqedoninë Veriore të ketë të tillë që ëndërrojnë për kalimin e përfaqësueses së këtij vendi direkt në finale të plejofit të Ligës D të Ligës së Kombeve të UEFA-s.

Maqedonia Veriore më 26 mars e pret Kosovën në gjysmëfinale. Por media të ndryshme në Maqedoninë Veriore, duke përfshirë edhe ato në gjuhën shqipe, kanë raportuar të premten për mundësinë që FFK-ja të suspendohet nga UEFA dhe FIFA për përfshirje të politikës në Federatë. Suspendimi do të nënkuptonte që Maqedonia Veriore të kalonte pa lojë fazën gjysmëfinale të plejofit, shkruan sot Koha Ditore.

Fituesi i ndeshjes ndërmjet Maqedonisë Veriore dhe Kosovës luan në finale të plejofit me fituesin e ndeshjes Gjeorgji – Bjellorusi. Fituesi i finales kualifikohet direkt në Evropian. Federata e Futbollit të Maqedonisë Veriore ende nuk ka njoftuar se ku do të luhet ndeshja, por kjo temë ka mbetur në hije të zhvillimeve të reja në futbollin kosovar.

“Kosova rrezikon suspendim prej një deri në pesë vjet”, është titulli i një shkrimi në portalin “sportmedia.mk”. Ky medium ka shkruar, duke mos cituar ndonjë burim, se për shkak të përfshirjes së politikës në “luftën” për të parin e FFK-së, Federata kosovare mund të suspendohet nga UEFA e FIFA. Në të njëjtën frymë kanë raportuar edhe mediat e tjera në Maqedoni Veriore.

Për mundësinë që Kosova të suspendohet nga asociacionet ndërkombëtare të futbollit, kanë raportuar edhe shumë media të Serbisë.

“Federata e Futbollit e Kosovës mund të suspendohet”, është titulli i mediumit “b92.net”.

Në të vërtetë, mundësia që Kosova të suspendohet vlerësohet fare e vogël aktualisht. Për pasoja nga UEFA e FIFA për përfshirje të politikës në zhvillime të brendshme kanë folur në ditët e kaluara edhe drejtues të FFK-së. Por nuk ka pasur ndonjë qëndrim zyrtar të saj e, po ashtu, ndonjë paralajmërim nga UEFA e FIFA.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme