Maqedonci takoi homologun e tij slloven, biseduan për sigurinë në vend dhe më gjerë

Prishtinë | 22 Dhj 2023 | 15:37 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, sot zhvilloi një takim bilateral me ministrin e Mbrojtjes të Sllovenisë, Marjan Sarec, i cili ishte i shoqëruar nga ambasadorja e Sllovenisë në Kosovë, Minca Benedejcic dhe pjesëtarë të tjerë të delegacionit të tij.

Sipas zyrës së kësaj ministrie, në këtë takim gjithashtu morën pjesë zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, shefi i Stafit të FSK-së, gjeneral brigade Ilir Qeriqi, drejtori i Politikave të Mbrojtjes, Faruk Geci, drejtori i Departamentit për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Integrime Euro-Atlantike, kolonel Sylejman Cakaj, këshilltarja e ministrit, Liridona Gashi dhe rreshter majori i FSK-së, Bedri Zuka.

Temë e këtij takimi ishte situata e sigurisë në vend dhe më gjerë, ku me këtë rast, Maqedonci theksoi se sulmi i 24 shtatorit është shqetësues për faktin se prapa tij qëndrojnë strukturat shtetërore të Serbisë, andaj ai tha se duhet trajtuar me shumë vëmendje si veprim që tregon hapur tendencën për destabilizimin e vendit, rrjedhimisht të Ballkanit Perëndimor.

Po ashtu Maqedonci njoftoi homologun e tij për të gjitha përparimet e FSK-së deri më tani.

“Krahas situatës së sigurisë, ministri Maqedonci e njoftoi homologun e tij slloven me të gjitha përparimet e FSK-së gjerë më tani, për kapacitetet dhe vullnetin për të thelluar bashkëpunimin me forcat sllovene, përmes trajnimeve dhe misioneve të përbashkëta, si dhe aktiviteteve të tjera ushtarake që mund të zhvillohen përtej planit bilateral”, thuhet në njoftimin e zyrës.

“Gjithashtu, Maqedonci shprehu qëndrimin e Kosovës sa i përket luftës në Ukrainë dhe synimin e qartë që kemi si shtet për anëtarësim në BE, A5 dhe në NATO. Me këtë rast, ai kërkoi nga homologu i tij mbështetjen e Sllovenisë në rrugëtimin e Kosovës për anëtarësim në organizatat euro-atlantike”.

Nga ana e tij, Sarec garantoi mbështetjen e padiskutueshme të shtetit slloven për Kosovën dhe gjithashtu shprehu vullnetin e tij të që bashkëpunimin e deritashëm që kanë dy vendet ta thellojnë edhe më tutje.

Të ngjashme