Numri i tërësishëm i fëmijëve të vaksinuar deri në moshën 14 vjeçare me MRP-vaksinën nga fillimi i epidemisë në Maqedoninë e Veriut arrin 29.857 fëmijë. Prej tyre, 15.250 fëmijë janë vaksinuar në territorin e qytetit të Shkupit, derisa në pjesën tjetër të shtetit janë vaksinuar 14.607 fëmijë, informon sot Ministria e Shëndetësisë.
“Prindërit e kuptuan vlerën e vaksinimit të fëmijëve në kohë. Nuk ekziston teknologji tjetër më efikase mjekësore që mund ta mbrojë dhe ta përparojë shëndetin e njeriut si vaksinimi. Ajo është masa e vetme për mbrojtje nga fruthi”, thekson MSH.
Në raportin e Komisionit Evropian thuhet se Ministria e Shëndetësisë ka ndërmarrë hapa për kontroll të situatës me epideminë, përmes vaksinimit direkt në shkolla dhe kopshtet e fëmijëve dhe me fillimin e fushatës së madhe për vaksinim.
Javën e fundit janë paraqitur gjithsej 70 raste të reja të fruthit, që është për 17 raste më pak në krahasim me vitin paraprak.
Gjatë ditës së djeshme, është kontrolluar dhe hospitalizuar një paciente me diagnozë të fruthit. Bëhet fjalë për një paciente 44 vjeçare nga Negotina, e cila nuk është vaksinuar. Në klinikën për sëmundje infektive shërohen gjithsej 14 pacientë prej të cilëve 12 të rritur dhe 2 fëmijë. Në repartin plr kujdes intensiv vazhdon shërimi i pacientes 16 vjeçare me paralizë cerebrale dhe EPI për fruth dhe pneumoni masive.
Nga fillimi i epidemisë në dhjetor të vitit 2018, deri tani në shtetin tonë janë regjistruar 1.891 raste të fruthit me incidencë prej 91,4 në 100.000 banorë.
“Vetëm me shkallë të vaksinimit prej mbi 95 për qind të popullatës, do të sigurojmë imunitet kolektiv dhe do të jetë e pamundur përhapja e virusit mes popullatës. Të gjithë fëmijët që nuk janë vaksinuar për t’u mbrojtur nga sëmundjet, menjëherë duhet të vaksinohen”, shtohet në kumtesën e Ministrisë.