Me prezantimin e SMS mesazheve dhe dëshmive tjera materiale që i propozoi PSP, sot në Gjykatën Penale duhet të vazhdojë gjykimi për lëndën “Trajektorja” në të cilën të akuzuar janë disa ish-funksionarë për shkak të keqpërdorimeve në përzgjedhjen e kompanisë për ndërtimin e akseve rrugore deri në Shtip dhe Ohër.
Në seancën paraprake janë lexuar disa qindra SMS mesazhe mes ish-ministrit të Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakieski dhe sekretares së atëhershme në Ministri, Elena Kuzmanovska, sekretarit të Qeverisë, Kiril Bozhinovski dhe ish-ministrit të Financave Zoran Stavreski, njofton AlsatM, përcjell Klan Kosova.
Në “Trajektore” akuzohen ish-kryeministri Nikolla Gruevski, ish-zëvendëskryeministri Vlladimir Peshevski, ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve Mile Janakievski dhe ish-drejtori për Rrugë Shtetërore, Lupço Georgievski, se në vitin 2012/2013 i kanë tejkaluar autorizimet e tyre në procedurën për përzgjedhjen e kompanisë për ndërtimin e pjesëve të autostradës deri në Shtip dhe Ohër.