Maqedonia e Veriut: Nga 817 teste, 39 pozitiv 4 të vdekur

Prishtinë | 30 Gus 2020 | 16:08 | Nga Ekonomia Online

Maqedonia e Veriut të dielën ka regjistruar numrin më të vogël të të infektuarve me koronavirus që nga muaji prill.

Nga testimi i 817 mostrave, me COVID-19 janë diagnostikuar 39 persona ndërsa katër persona e kanë humbur jetën, dy nga Kumanova të moshës 43 dhe 66 vjeç dhe dy nga Shkupi të moshës 71 dhe 77 vjeç, me çka numri i përgjithshëm i të vdekurve ka arritur në 600.

Sipas raportit të Ministrisë së Shëndetësisë, deri tani janë testuar 147.819 persona, prej tyre 14.330 janë diagnostikuar me COVID-19, 11.062 janë shëruar ndërsa aktivë janë 2.668 persona.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe ka kërkuar nga qytetarët që të respektojnë masat pasi vetëm kështu, siç ka thënë, institucionet do të arrijnë me sukses të përballen me pandeminë. Filipçe edhe në qeverinë e re do të drejtojë dikasterin e shëndetësisë andaj në një shkrim të publikuar në Facebook ka thënë se fokus kryesor i qeverisë së re do të jetë shëndetësia dhe përballja me koronavirusin.

“Në mandatin e kaluar, forcuam besimin dhe treguam se çfarë do të thotë të kemi institucion të fortë në shërbim të qytetarëve. Në mandatin e ri, na pret një vjeshtë me sfida të reja lidhur me COVID-19. Unë besoj se së bashku do të kapërcejmë krizën shëndetësore. Në katër vitet e ardhshme, ne do të vazhdojmë të përmirësojmë kushtet në objektet shëndetësore dhe të rrisim pagat e personelit mjekësor”, ka theksuar Filipçe, i bindur se së bashku me qytetarët do të arrihet që me sukses të kapërcehet kriza me koronavirusin.

Për përballje me fluks të ri të të infektuarve në vjeshtë, institucionet kanë përgaditur 16 qendra rajonale për trajtimin e të infektuarve ndërsa janë furnizuar edhe me terapinë e nevojshme për të sëmurët.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme