Maratona e Tiranës u hap me kategorinë “Fun Run”, ku 3000 nxënës të shkollave fillore nga kryeqyteti vrapuan në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, kjo garë kishte për qëllim edukimin e të rinjve për një jetë aktive.
Maraton do të vazhdojë edhe nesër, por nuk do të ketë vetëm vrapues nga Shqipëria.
“Nesër do të mbahet një event shumë i rëndësishëm, Tirana do të mirëpresë vrapues nga 40 vende të botës. Do t’ju ftoja që të gjithë të bëhemi pjesë e Maratonës, qoftë duke ndihmuar vullnetarët, qoftë vrapuesit e huaj. Është gjëja më e mirë që qyteti po mirëpret një event sportiv të përmasave ndërkombëtare”, u shpreh nën kryetari i Bashkisë së Tiranës, Andi Seferi, transmeton TCH.
Edicioni i tretë i maratonës së Tiranës, nesër do të pres pesë mijë vrapues nga e gjithë bota. Për zhvillimin e maratonës do të bllokohet lëvizja në disa akse kryesore të qytetit.
“Përshkrimi i itinerarit të vrapuesve do të jetë nga fillimi i Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, Rruga Abdi Toptani, Rruga e Barrikadave, ndërsa në kthim do të devijohet rruga e Kavajës, Bulevardi Zogu i 1, Sheshi Avni Rustemi për të mbërritur tek Sheshi Nënë Tereza. Kjo situata do të jetë nga ora 5 e mëngjesit deri në orën 14:00”, deklaroi Gentian Vocaj, shefi i qarkullimit në Policinë Bashkiake.