“Marifetet e ndyra” në zgjedhjet amerikane

Prishtinë | 09 Nën 2016 | 10:09 | Nga

Në rast se mendoni që politikanët e sotëm e kanë degraduar fushatën në një nivelin më mjeran, mos harroni zgjedhjet e vitit 1800. Mashtrimet e pista nuk janë një shpikje moderne, dhe askush tjetër përveç vetë Tomas Xhefersonit promovoi mënyrën e pistë më të vjetër – përhapjen e gënjeshtrave mbi kundërshtarin.

Në vitin 1800, Shtetet e Bashkuara do të zgjidhnin mes kandidatit të Partisë Federaliste, presidentit në detyrë Xhon Adams, që ishte i lidhur me një qeveri të fortë qendrore dhe industrinë financiare, dhe kandidatit të Republikanëve Demokratë, Thomas Xheferson, i cili gëzonte mbështetje të fortë për tek shtetet e veçanta dhe shtresa agrare e popullsisë.

Zgjedhjet qenë një beteje për të ardhmen e kombit të ri, por fushata kishte një dallim të rëndësishëm nga konteksti i sotëm – asokohe kandidatët nuk bënin fushatë në mënyrë aktive, por ishin kryesisht përkrahësit që bënin thirrje në emër të tyre. Në fakt, si Adams dhe Xheferson qëndruan në shtëpitë e tyre gjatë gjithë fushatës. Por mos mendoni se ata nuk luajtën një rol qëndror në prapaskenë në fushatat e tyre.

Xheferson kontaktoi një nga përkrahësit e tij, pamfletistin Xhejms Kalender, për të botuar një seri traktesh që përhapnin gënjeshtra rreth Adamsit. Publikimet e Kalender, aludonin se Adams kishte planifikuar të niste luftë me Francën, dhe se ai kishte një “karakter hermafrodit, që nuk kishte as forcën e një burri, por as butësinë dhe ndjeshmërinë e një gruaje”.

Sulmet shpifëse të Kalenderit e dëmtuan besueshmërinë e Adamsit, dhe e ndihmuan Xhefersonin të fitojë zgjedhjet. Duke pasur parasysh rolin e tij në fitoren e Xhefersonit, nuk duhet të ketë qenë surprizë kur Kalender kërkoi një favor nga presidenti i ri. Ish-qeni i sulmit i Xhefersonit donte të ushtronte aftësitë e tij si drejtues i postës në Riçmond të Virxhinias, por pas zgjedhjes së diskutueshme, Xheferson donte të emëronte në postet kyçe të moderuarit.

Kalender nuk e priti mirë këtë refuzim. Ai u hakmor në mënyrë te ethshme ndaj ish-shefit të tij, duke botuar pamflete të shumta skandaloze rreth Xhefersonit, përfshirë edhe akuzat e para të botuara se presidenti kishte një fëmijë me skllaven e tij, Salli Hemings (një fakt që do të vërtetohej përmes testit të ADN-së gati 200 vjet më vonë). Megjithatë, përveç prishjes së imazhit publik të Xheferson, ai nuk arriti ndonjë gjë të madhe me sulmet e tij dhe vdiq i harruar.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme