Gjykata Themelore në Pejë, të hënën, ka shpallur aktgjykim dënues, ndaj të akuzuarit për posedim të paautorizuar të narkotikëve, Adonis Dadale.
Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Sylë Lokaj, i akuzuari është dënuar me një vit burg dhe 200 euro gjobë, pasi ai e kishte pranuar fajësinë se në korrik të këtij viti, në Qendrën Korrektuese në Dubravë, kishte poseduar 0.2 gram marihuanë
Por, pasi që ndaj tij janë shqiptuar edhe dënime të tjera me gjobë dhe me burgim, e për të cilat është në vuajtje të dënimit, gjykatësi Lokaj, e bëri unifikimin e tyre, dhe ndaj të akuzuarit ka shqiptuar dënim unik, dhe atë dënim me burgim prej dy vitesh dhe dënim me gjobë prej 1000 euro.
Sipas tij, nëse dënimi me gjobë nuk do të ekzekutohet brenda 15 ditësh, i njëjti do të zëvendësohet me dënim me burgim.
Ndaj të akuzuarit Dadale, është shqiptuar edhe dënimi plotësues, me anë të cilit do konfiskohet substanca narkotike, e llojit marihuanë, me peshë prej 0.2 gram.
Po ashtu, i akuzuari është obliguar edhe në pagesën e paushallit gjyqësor në shumë prej 50 euro, dhe taksën për kompensimin e viktimave të krimit në shumë prej 50 eurove, shkruan Betimi për Drejtësi.
I akuzuari Dadale e kishte pranuar fajësinë për veprën penale që e ngarkon akuza, në seancën fillestare të mbajtur me 25 tetor 2019.
Sipas aktakuzës së ngritur me 18 shtator 2019, Adonis Dadale akuzohet se me 1 korrik 2019, në Qendrën Korrektuese në Dubravë, pa autorizim ka poseduar substancë narkotike.
Në akuzë thuhet që në ditën kritike, pas kontrollit nga oficeri korrektues, të pandehurit në i është gjetur substance narkotike e llojit marihuanë në peshë prej 0.2 gram.