Rusia dhe Irani shprehën shqetësime serioze për vendimin që mund të marrë presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, në lidhje me të ardhmen e marrëveshjes bërthamore midis Iranit dhe gjashtë fuqive botërore.
Kremlini paralajmëroi për një “situatë shumë serioze” nëse Trump tërheq ShBA-na nga marrëveshja.
Presidenti i Iranit, Hassan Rohani, pranoi se Republika Islamike “mund të përballet me disa probleme” nëse Trump rivendos sanksione kundër vendit të tij.
Me marrëveshjen e vitit 2015, Irani është dakorduar të frenojë programin e tij bërthamor në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare.
Trump është kritik i fuqishëm i kësaj marrëveshjeje.
Sipas tij, Teherani është duke shkelur “frymën” e saj me hedhjen e vazhdueshme të raketave balistike dhe me mbështetjen e militantëve në rajon.
Trump pritet të shpallë vendimin e tij në orën 14:00, sipas kohës në Uashington.