Pas përfundimit të takimit mes liderëve politkë, Albin Kurti dhe Isa Mustafa, Lëvizja Vetëvendosje ka lëshuar një deklaratë për medie përmes së cilës ka bërë të ditur se në takimin e sotëm u finalizua 100% programi qeverisës, shkruan Ekonomia Online.
Me tej, Vetvendosje thotë se të hënën do të arrihet marrëveshja përfundimtare me Lidhjen Demokratike të Kosovës, derisa në takimin e sotëm janë dakorduar që programi qeverisës do t’i ketë 12 ministri.
Deklarata e plotë e Vetëvendosjes:
“Sot në orën 13:00, në Kuvendin e Kosovës, u takuan kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, dhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa. Në këtë takim u përmbyll 100% harmonizimi i programit qeverisës duke u pajtuar për të gjitha çështjet e hapura. Nga dy modalitetet e ndryshme për kabinetin qeverisës me 12 ministri, që i kishin ofruar ekipet punuese të dy subjekteve tona, Kurti dhe Mustafa u përcaktuan për verzionin e parë. Në vijim do të përzgjedhen përgjegjësitë në qeverisjen e përbashkët, për çfarë u sqaruan pozicionet dhe kërkesat. Pra, u hap tema dhe u saktësua principi i zgjidhjes, e që përfundimisht do të përmbyllet të hënën me marrëveshje”, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes.