Më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, Kosova dhe Serbia u pajtuan për planin e zbatimit të Propozimit evropian.
Marrëveshja e Ohrit ndonëse nuk u nënshkrua ajo u tha është bërë ligjërisht e detyrueshme në momentin kur Bashkimi Evropian doli me njoftimin.
Por, Marrëveshja e Ohrit nuk e ka përkrahjen e opozitës në Kosovë, gjegjësisht të dy partive më të mëdha opozitare.
Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi një ditë më parë në takimin me ambasadorin e Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomaz Szunyog ka folur për këtë marrëveshje.
Ai bëri të ditur se edhe ambasadorit Szunyog ia ka përsëritur qëndrimin e tij dhe të PDK-së në lidhje me këtë marrëveshje, e cila sipas tij është e pamjaftueshme dhe mundësi të humbur për të përmbyllur konfliktin e ngrirë prej dekadash me Serbinë.
“Kjo marrëveshje është rezultat i gabimeve të vazhdueshme të kryeministrit Kurti dhe nuk i arrin qëllimet tona shtetërore e qytetare.
Bashkë diskutuam edhe për procesin e reformës zgjedhore, i cili është duke u përmbyllur me sukses, si dhe për punën tonë si Grup Parlamentar në Kuvendin e Kosovës. Ambasadorin Szunyog e falënderova për angazhimin e Bashkimit Evropian për të lehtësuar dhe ndihmuar proceset me rëndësi në Republikën e Kosovës”, shkruan Krasniqi.