Diplomati i njohur, presidenti i Akademisë Diplomatike Shqiptare, Lisen Bashkurti ka ftuar lidershipin e Kosovës të përgatitet për fazën finale të dialogut me Serbinë.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se është e nevojshme që ky proces parapërgatitor të jetë serioz, legjitim, i përgjegjshëm, transparent dhe gjithëpërfshirës.
Ai ka theksuar se në tërësi bisedimet Kosovë -Serbi deri më tani kanë krijuar më shumë zhgënjime sesa shpresa afrimi, pajtimi dhe bashkëpunimi.
Bashkurti ka thënë se procesi i bisedimeve Kosovë – Serbi ka ngelur në status quo. “Ose, më saktë, ka ngelur në një rreth të mbyllur pa rrugëdalje”, ka thënë ai.
Diplomati Bashkurti ka thënë se lidershipi i këtyre dy shteteve nuk po kanë energji të mjaftueshme për të dalë vetë nga ky rreth i mbyllur.
Ai ka kërkuar më tepër energji nxitëse nga BE-ja dhe më shumë mbështetje nga ShBA-ja.