Marrëveshja Kosovë-Shqipëri-Kroaci, ekspertët e vlerësojnë si domosdoshmëri për stabilitetin në rajon

Prishtinë | 22 Mar 2025 | 09:30 | Nga Gzim Mujaj

Marrëveshja tripalëshe mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë po konsiderohet një hap i rëndësishëm për stabilitetin rajonal, raporton Ekonomia Online.

Ekspertët e sigurisë vlerësojnë se kjo marrëveshje vjen si përgjigje ndaj kërcënimeve të vazhdueshme në Ballkan, veçanërisht nga Serbia, e cila po vazhdon të armatoset në mënyrë të pandërprerë.

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami për Ekonomia Online thotë se kjo marrëveshje ishte e pritshme dhe e nevojshme për të ruajtur ekuilibrin në rajon.

“Marrëveshjen trilaterale mes Kroacisë, Kosovës dhe Shqipërisë, besoj se të gjithë e kanë pritur mirë. Kjo marrëveshje është në favor të paqes dhe sigurisë në rajon, sepse dihet që Serbia është një vend, i cili ka shkaktuar luftëra në ish-Jugosllavi. Dhe kur kihet parasysh se ky vend në vazhdimësi është armatosur me armatim sulmues, atëherë është e domosdoshme që niveli ose kundërpesha e kësaj të jetë kjo marrëveshje mes tri vendeve. Ta kemi parasysh se vendet si Kroacia, Shqipëria dhe Kosova, të gjitha janë armatosur dhe po armatosen me armatim vetëmbrojtës. Është një balanc, i cili do të bëhet mes Serbisë dhe këtyre tri vendeve”, ka thënë Islami.

Ai thekson se bashkëpunimi mes këtyre vendeve nuk është vetëm simbolik, por ka edhe qëllime strategjike për të forcuar mbrojtjen dhe zhvillimin e industrisë ushtarake.

“Ky bashkëpunim dhe kjo marrëveshje, të cilën e kanë bërë këto tri vende, është jashtëzakonisht e rëndësishme, sepse bazohet në zhvillimin e mbrojtjes dhe të industrisë ushtarake. Është një marrëveshje e cila synon t’i kundërpërgjigjet luftës hibride ndaj Serbisë, e cila ishte agresor dhe në vazhdimësi i rrezikon vendet e rajonit”, ka thënë ai.

Edhe eksperti tjetër i sigurisë, Nuredin Ibishi, ndan të njëjtin mendim, duke e cilësuar marrëveshjen si një hap të natyrshëm dhe të vonuar për t’u realizuar.

“Së pari kjo është marrëveshje shumë e dobishme, edhe ndoshta e vonuar, sidomos me Shqipërinë, por njëkohësisht edhe me Kroacinë si vend mik. Mendoj që është një memorandum i bashkëpunimit të natyrshëm për shkak të rreziqeve dhe kërcënimeve, jo vetëm në Ballkan. Kjo për shkak të situatës së përgjithshme globale. Kjo është në interesin e tri shteteve që të bëjnë bashkëpunim për mbrojtje. Mendoj që ajo mund edhe të zgjerohet”, ka thënë Ibishi.

Ai ka komentuar edhe reagimin e Serbisë ndaj kësaj marrëveshjeje, duke e konsideruar të pabazuar ankesën e saj për shkelje të marrëveshjeve të mëparshme.

“Ishte reagimi i menjëhershëm i palës serbe, ku Vuçiq shkoi në takim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s dhe filloi që t’i ankohet në kuptimin e marrëveshjes, kinse u thye marrëveshja e vitit ‘96 për kontrollin rajonal të armatimit. Këtë marrëveshje e ka thyer i pari Vuçiq, duke armatosur Serbinë përtej kushteve që janë përcaktuar në këtë marrëveshje për armatim”, ka thënë ai.

Ibishi po ashtu thekson se kjo marrëveshje nuk duhet parë si kërcënim nga asnjë vend, pasi qëllimi i saj është thjesht mbrojtës.

“Në fund ishin reagimet e ministrave, ku u tha se është çështje e brendshme e tyre se me kë bëjnë marrëveshje, kur ka të bëjë me mbrojtjen. Asnjë prej këtyre shteteve, duke filluar nga Kosova, Shqipëria e Kroacia, nuk kanë pretendime territoriale ndaj shteteve të tjera. Kanë aspektin vetëm mbrojtës, kështu që është një marrëveshje shumë e dobishme dhe e nevojshme për kohën”, ka thënë ai.

Më 18 mars 2025, në Tiranë, Shqipëria, Kosova dhe Kroacia nënshkruan një Deklaratë të Përbashkët të Bashkëpunimit në Fushën e Mbrojtjes, e cila synon forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në rajon. 

Marrëveshja u firmos nga ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, zëvendëskryeministri dhe ministri i Mbrojtjes i Kroacisë, Ivan Anushiq dhe ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci. 

Qëllimet kryesore të Marrëveshjes së bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë janë promovimi i bashkëpunimit në ngritjen e kapaciteteve të mbrojtjes dhe industrisë së mbrojtjes, rrritja e ndërveprueshmërisë përmes edukimit, trajnimit dhe ushtrimeve; kundërveprimi ndaj kërcënimeve hibride dhe forcimi i qëndrueshmërisë strategjike si dhe ofrimi i mbështetjes së plotë për integrimin euroatlantik dhe për mbrojtje rajonale.

Të ngjashme