Ministrja për Integrim Evropian në Serbi, Jadranka Joksimoviq ka thënë se Serbia nuk do të kushtëzohet nga njohja e pavarësisë së Kosovës për tu bërë anëtare e Bashkimit Evropian.
Në një reagim ndaj deklaratës së presidentit serb, Vuçiq ajo tha se marrëveshje përfundimtare ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit nuk nënkupton edhe njohjen e pavarësisë së Kosovës.
“Sigurisht që ne mund të bëhemi anëtarë të BE-së edhe pa e njohur Kosovën. Kjo është esenca e marrëveshje për normalizim, nuk do të obligohemi ta njohemi pavarësinë e Kosovës. Me siguri do të ketë compromise të shumta, por me kusht që Kosova ta formoj bashkësinë e komunave me shumicë serbe”, tha Joksimoviq për RTS.
Sipas saj, përmbajtja e marrëveshjes do të përcaktohet nga rezultatet e dialogut ndërmjet dy vendeve.
“Nuk do të ketë dilema Kosova apo BE-ja. Nëse do të ishin këto problem, atëherë Brukseli ka tjera kushte si reformat, sundimin e ligjit e kapacitetet administrative”, theksoi ministrja serbe.
Presidenti serb gjatë vizitës në Bruksel, theksoi se Serbisë i është kërkuar një marrëveshje përfundimtare me Kosovën.
“Dialogu Beograd-Prishtinë do të vazhdojë nën patronazhin e BE-së qoftë në Bruksel apo diku tjetër. Kapitulli i 35 nuk do të mbyllet pa u normalizuar marrëdhëniet midis Beogradit dhe Prishtinës këtu ata thonë Serbisë dhe Kosovës. Është një detyrë e rëndë. Kjo është arsye pse gjithë populli ynë duhet të përfshihet për këtë kemi bërë një dialog të brendshëm” , tha Vuçiq.
Edhe pse jo direkt, ai bëri të ditur se edhe njohja e Kosovës mund të jetë si kusht për Serbinë.