Marrëveshja që tronditi Serbinë, Vengu: Narrativë viktimizuese, s’kemi traktate të fshehta kundër fqinjëve

Prishtinë | 22 Mar 2025 | 13:05 | Nga Ekonomia Online

Deklarata e përbashkët për mbrojtje dhe siguri mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë ka ngjallur reagime të shumta në Serbi.

Këtë marrëveshje mes tre shteteve, presidenti serb Aleksander Vuçiq që e cilësoi si “provokim të hapur” drejtuar Beogradit.

Lidhur me këtë ka reaguar edhe ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Pirro Vengu, i cili theksoi se Serbia ka pezulluar në mënyrë të njëanshme mundësinë për të marrë pjesë në konsultime shumëpalëshe.

Vengu shton se ky pezullim, e bën të kotë çdo narrativë viktimizuese që vjen nga qeveria serbe.

“Serbia, duke ndjekur prej dy vitesh një politikë të karriges boshe në iniciativat rajonale, ia ka pezulluar në mënyrë të njëanshme vetes mundësinë për të nxitur ose për të marrë pjesë në konsultime shumëpalëshe. Ky pezullim, që është në dorën e Serbisë të lihet mënjanë, e bën të kotë çdo narrativë viktimizuese që vjen nga qeveria serbe. Në historinë e saj, Shqipëria nuk ka precedente marrëveshjesh ose traktatesh të fshehta në dëm të fqinjëve, siç e kanë pasur shtete të tjera. Për rrjedhojë, krahas kureshtjes së ekspertëve të dramave rajonale dhe atyre që mezi presin të gjejnë një vesh për të dëgjuar rënkime, nuk e kemi aspak problem të publikojmë marrëveshjen tripalëshe”, shkroi ai në rrjetin social ‘X’.

“Si aleatë kemi një vlerësim të njëmendtë mbi kërcënimet që synojnë të pengojnë të ardhmen evropiane të rajonit tonë. Ndaj kemi vendosur të bashkëpunojmë për të rritur kapacitetet tona mbrojtëse dhe për të mbështetur integrimin e Kosovës në mekanizmat rajonalë”, thuhet mes të tjerash.

Kujtojmë se kjo marrëveshje u nënshkrua më 18 mars në Tiranë, përmes së cilës vendet angazhohen që të forcojnë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

Të ngjashme