Anthony Joshua duket se do të mbrojë titujt kampionë bote të peshës së rëndë ndaj Wladimir Klitschko në një përballje të dytë mes dy boksierëve, që do të zhvillohet në vjeshtën e këtij viti.
Lajmin e ka konfirmuar Eddie Hearn, promotori i boksierit britanik, që më 29 prill mposhti ukrainasin me “KO” teknik në përballjen e parë, në “Wembley” të Londrës (para 90 mijë shikuesve), raporton telesport.
Lajmi i revanshit ende nuk është zyrtar, por duket se palët kanë arritur marrëveshjen. Klitschko, pas humbjes në përballjen e parë, kishte si opsion në kontratë të drejtën e revanshit, të drejtë të cilën duket se vendosur ta ushtrojë edhe pse vendimi zyrtar nuk është marrë ende.
Por burime nga stafi i kampionit britanik bëjnë me dije se ukrainasi kërkon edhe përballjen e dytë.
“Ne po kërkojmë për një apo disa vende për të zhvilluar revanshin. Ata na kanë thënë që të gjejmë një vend dhe të caktojmë datën. Çka do të thotë që revanshi do të zhvillohet”, tha Hearn për “boxing news”.
“Klitschko nuk ka thënë ende se do të tërhiqet nga boksi, çka do të thotë se ai është ende aktiv. E vetmja gjë që mund t’ju them për momentin është se për mua revanshi do të ndodhë, pasi Klitschko apo pala tjetër nuk ka deklaruar kurrë të kundërtën. Unë do të takohem këtë jave me promotorin e ukrainasit. Nuk është çështje parash, por nderi për Klitschko, pasi ai mendon se mund ta kishte fituar duelin në raundin e gjashtë. Edhe fansat e mbështesin revanshin”, tha Eddie Hearn, që shtoi se revanshi mund të zhvillohet në Amerikë, Nigeri, Dubai ose Kardif.