Mbarë e ka nisur vitin ekipi i filmit “Martesa”, me lajmin që filmi i cili qe propozimi i Kosovës për “Oscar” dhe u pa në ekrane të festivaleve më nam, ka marrë çmimin e “SEE Online Film Festival”.
Filmi me regji të Blerta Zeqirit, bashkëfinancuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës, është fitues i kategorisë kryesore – për film artistik – të edicionit të parë të këtij festivali. Anëtarët e jurisë që kanë bërë përzgjedhjen e fituesve janë: Steve Abbott, Sreten Zhivojinoviq dhe Mario Mazzarotto, shkruan sot Koha Ditore.
Në kategorinë e filmit më të mirë dokumentar fitues ka dalë “The Manakia Brothers. Diary of a Long Look Back” nga Rumania me regji të Eliza Zdru. Filmi më i mirë i shkurtër është shpallur “Heimlich” realizuar nga regjisori grek Kostas Bakouris, ndërsa fitues i çmimit për animacionin më të mirë është projekti shqiptaro-grek, “Ethnophobia” me regji të Joan Zhongas.
Kreshnik Berisha, producent dhe bashkëskenarist i “Martesës” ka thënë se çmimin e “SEE Online Film Festival” e ka ndarë juria, derisa filmi është vënë në dispozicion të shikuesve online.