Martin Berishaj, ambasadori i Kosovës në Kroaci që po hetohet për deklarim të rrejshëm të pasurisë, shpëlarje parash dhe evazion fiskal nga prokuroritë në Kosovë, ka shkruar sërish në Facebook dhe Twitter rreth skandalit financiar që lidh atë me kryeministrin e Sllovenisë, Robert Golob.
Berishaj shkruan se asnjëherë në jetë nuk është takuar me Golob prandaj edhe lidhja e tij me të është “lajm i rrejshëm”.
“Kryeministrin e Republikës së Sllovenisë, z. Robert Golob nuk e njoh, kurrë nuk e kam takuar në jetën time dhe nuk kam qenë kurrë në kontakt me të, kështu që pavarësisht asaj se sa herë do ta ricikloni lajmin e rrejshëm, ai vetëm lajm i rrejshëm mbetet”, shkroi Berishaj.
Nga ajo që tashmë është vërtetuar nga mediat, Berishaj nga viti 2015 deri në vitin 2022 është paguar me shuma të majme nga kompania e energjisë elektrike GEN-I dega në Beograd për konsulencë rreth energjisë, përkundër se me profesion është profesor i shkencave politike.
Dyshohet se Berishaj ishte pjesë e një skeme të shpëlarjeve të parave, të cilat përmes fizkulturave fiskale niseshin nga GEN-I në Slloveni, të cilën e udhëhiqte në atë kohë kryeministri aktual slloven Golob, shkonin në degë të GEN-I sic është ajo në Serbi dhe nga aty paguheshin persona si Berishaj që më pas t’i kthenin sërish në Slloveni për t’i dërguar përufndimisht në bursa të ndryshme nëpër botë.
Informacionet e fundit janë se Berishaj me një pjesë të atyre parave ka financuar fushata elektorale të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Listës Guxo, koalicion që fitoi zgjedhjet.
Berishaj pas zgjedhjeve nga ky koalicion do emërohej ambasador në Kroaci.
Ai ka pranuar në deklarimin e tij para deputetëve në komisionin parlamentar se ka kompani në Mal të Zi të cilën nuk e kishte deklaruar në Kosovë dhe gjithashtu se është paguar nga GEN-I Beograd.