Hueyda El Saied dhe partneri i saj Thierry kanë kurorëzuar dashurinë e tyre disavjeçare në martesë. Lajmin e ka bërë me dije vetë balerina e njohur në një intervistë për Revistën “Who”. Për shkak të pandemisë, çifti ka organizuar një ceremoni minimaliste me personat më të afërt të saj.
“Për vetë konteksin mondial aktual që po përjetojmë, ishte një dasmë minimaliste, por e mbushur plot sharm, emocione dhe gëzim. Fustanet i kisha blerë në Paris njëzet e katër orë para se të mbylleshin dyqanet e të fillonte karantina e dytë për francezet.
Buqetën e luleve e bleva në Luksemburg, por s’e mbajta kurrë në dorë sepse e harrova në shtëpi. Unazat i kishim zgjedhur prej kohësh tek një bizhutier i njohur, por ngaqë ndryshuam datën e martesës për 18 dhjetor në unazat tona është shënuar data 11 dhjetor.
I vetmi luks material që patëm mundësi të shijonim ishte limuzina që erdhi na mori në shtëpi për të na shoqëruar në Bashki e pasi thamë “PO”, së bashku me dy mikeshat tona shijuam shampanjën dhe muzikën duke bërë xhiro nëpër Luksemburg.”, është shprehur Hueyda.
Hueyda El Sayed është këngëtare e njohur. Ka lindur në Tiranë dhe është një përzierje e Sudanit dhe gjakun shqiptar. Ajo është një poliglotë, njeh mirë katër gjuhë, si anglisht, frengjisht, italisht dhe shqip. Ajo u diplomua nga Shkolla Jordan Misja. Gjatë karrierës së saj profesionale ka punuar në fusha të ndryshme nga baleti, teatri në televizion dhe gazetari.