Ish-presidenti i Finlandës Martti Ahtisaari, i cili e ka fituar çmimin Nobel për Paqe në vitin 2008, ka rezultuar pozitiv në testimin për Covid-19.
Këtë e ka bërë të ditur Zyra e Presidentit të Finlandës.
“Infeksioni është konfirmuar të hënën, më 23 mars. Presidenti Ahtisaari po ia del mirë në këtë situatë”, thuhet në njoftim.
82 vjeçari, që ka qenë në krye të Finlandës nga viti 1994-2000, e ka fituar çmimin Nobel për Paqe për kontributin e tij në ndërmjetësimin e paqes.
Marti Ahtisaari ishte i Dërguar i Posaçëm i Kombeve të Bashkuara për Kosovën. Ai ishte i ngarkuar me organizimin e negociatave për procesin e statusit të Kosovës – që më vonë e shpalli Pavarësinë.