Masat e efiçiencë së energjisë, përurohet renovimi i shkollës “Isa Boletini”

Prishtinë | 04 Shk 2026 | 15:52 | Nga Ekonomia Online

Është bërë përurimi i shkollës ekonomike “Isa Boletini” në Podujevë, e ku i pranishëm ishte kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe ministrja në detyrë e Ekonomisë Artane Rizvanolli, ku kanë treguar se masat e efiçiencës së energjisë kanë qëllim përmirësimin e kushteve në shkolla dhe uljen e konsumit të energjisë, dhe zvogëlimin e shpenzimeve operative, raporton Ekonomia Online.

Kurti ka treguar se investimi në këtë shkollë aty është 350 mijë euro.

“Me rastin e përurimit të renovimit të shkollës, që ka rezultuar në ambiente më të ngrohta, me ndriçim të përshtatshëm dhe gjithashtu me siguri të lartë. Këtu janë rreth 3 mijë metra katrorë, pra është një shkollë e madhe me mbi 1 mijë nxënës dhe rreth 100 mësimdhënës, të cilët tash do t’i kenë kushtet moderne për mësimdhënie dhe mësimnxënie. Bëhet fjalë për katër shkolla gjithsej në Podujevë, në të cilat kemi investuar si Qeveri e Kosovës 750 mijë euro, po edhe po aq, gjithsej 1 milion e gjysmë, edhe me mbështetjen e BE-së. Synimi ynë është që sa më shumë fëmijët, nxënësit dhe rinia të kenë kushtet për arsimim cilësor dhe në këtë mënyrë të përgatiten për avancimet e tyre në karrierë, për përparimin dhe ngritjen e tyre profesionale e personale dhe kësisoj t’i kontribuojnë edhe familjes, edhe shtetit, edhe ekonomisë sonë”, tha ai.

Pasi të gjithë kryen fjalimet e tyre, Kurti pa ndonjë arsye mori sërish fjalën për të folur për projektin.

“Më lejoni edhe njëherë ta theksojë që në shkollën e mesme ekonomike “Isa Boletini” në Podujevë gjithsej investimi është 350 mijë euro, rreth 3 mijë metra katror për mbi 1 mijë nxënës, rreth 100 mësimdhënës, me ç’rast janë ndërruar dritaret, janë vënë krejtësisht të reja. Gjithashtu është izoluar edhe kulmi dhe muret, ndërkaq është optimizuar ngrohja e cila ka kapacitet prej 300 kilovat”, ritheksoi Kurti.

Ndërsa ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli foli për projektin me Fondin e Kosovës për Eficiencë të Energjisë, e ku ndër të tjera janë të përfshira 17 shkolla në katër komuna të Kosovës.

“Shkolla “Isa Boletini” është një ndër katër shkollat në të cilat po investojmë në Podujevë përmes Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë për të rritur efiçiencën e energjisë. Këto janë ndër 17 shkollat në katër komuna të ndryshme të Kosovës që po renovohen përmes një fondi që Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndarë para rreth dy vitesh. Punët kanë filluar para një viti dhe kanë përfunduar me saktësi dhe për këtë falënderoj fondin, kryetarin, drejtorin dhe të gjithë mësimdhënësit e nxënësit. Siç e kemi thënë që nga fillimi i mandatit, kursimi i energjisë dhe rritja e efiçiencës së energjisë është një ndër shtyllat kryesore të strategjisë sonë të energjisë. Kjo na mundëson të kemi edhe fatura më të ulëta, por edhe të përmirësohen kushtet për nxënësit dhe mësimdhënësit”, tregoi ajo.

Ndërsa përfaqësuesja nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë ka treguar qëllimin e projektit.

“Ka qëllim për përmirësimin e kushteve mësimore për mësimdhënësit dhe nxënësit, për uljen e konsumit të energjisë dhe gjithashtu për zvogëlimin e shpenzimeve operative për Komunën e Podujevës. Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë që nga themelimi ka investuar në sektorin publik, dhe sektori publik akoma mbetet një shtyllë kyçe për të realizuar projekte tjera investive në procesin e tranzicionit të energjisë. Deri më sot janë realizuar më shumë se 100 projekte në 25 komuna, dhe këto investime kanë përfshirë institucione të ndryshme”, tha ajo.

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi teksa foli për projektim tha se po punohet cdo ditë e më shumë që të ofrohen kushte për fëmijët.

“Faleminderit të gjithëve që na kanë ndihmu dhe po punojmë për ditë e më shumë që këtyre fëmijëve t’u krijojmë kushte sa më të përshtatshme”, u shpreh ai.

E fjalë pati edhe drejtori i shkollës “Isa Boletini”, Muhamet Sejdiu.

“Jam shumë i lumtur që punimet e efiçiencës së energjisë kanë rezultuar në shkollën ‘Isa Boletini’ është një prej atyre investimeve që ia ka vlejtur”, tha ndër tjerash ai.

Të ngjashme