MAShT-i heq dorë nga kompensimi financiar për “Loyola-n”

Prishtinë | 23 Shk 2018 | 08:06 | Nga

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, të enjten, ka njoftuar se ka anuluar pikat e memorandumit të mirëkuptimit me gjimnazin “Loyola”, në saje të të cilave parashihej që kjo ministri të mbulojë pagat e mësimdhënësve të kësaj shkolle, derisa shpenzimet e tjera i takonin asociacionit “Loyola”, shkruan sot Koha Ditore.

Me këtë rast kjo ministri ka pohuar se do të shqyrtojë mundësitë e tjera të bashkëpunimit me gjimnazin “Loyola”. Në anën tjetër drejtuesit e gjimnazit në fjalë kanë theksuar se nuk janë të befasuar me vendimin e MASHT-it, pasi që sipas tyre ai ka qenë i pritur në bazë të rezultatit të diskutimeve gjatë viteve të fundit me institucionet kosovare.

Por megjithatë kanë shprehur zhgënjimin për mënyrën se si kjo ministri e ka komunikuar këtë akt, pa e njoftuar paraprakisht “Loyolan” dhe Ambasadën e Gjermanisë në Prishtinë përmes kanaleve zyrtare.

Divizioni për Komunikim Publik i MASHT-it ka njoftuar se ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, në përputhje me legjislacionin në fuqi ka marrë vendim për “shfuqizimin e pikës 2 të nenit 2 të Memorandumit të Mirëkuptimit (MM) të lidhur ndërmjet MASHT-it, OJQ-së Asociacioni “Loyola Gymnasium” dhe Kuvendit të Komunës së Prizrenit të datës 11.10.2004 dhe Aneksit I të Memorandumit të Mirëkuptimit me numër protokolli 2890 të datës 02.07.2014”. Aty është theksuar se vendimmarrjen e kanë diktuar dispozitat ligjore që ia pamundësojnë MASHT-it pagesat në llogari të gjimnazit “Loyola”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme