Këshilli Rinor Kosovar (KYC) ka mbajtur Kuvendin e 11-të Zgjedhor me titullin “Cilësia e Mësimdhënësve si dhe Cilësia e Vlerësimit”, me ç’rast Agnesa Qerimi, drejtoreshë ekzekutive e këtij këshilli, falënderoi nxënësit nga shkollat e gjitha komunave të Kosovës, duke thënë se nxënësit kosovarë po e nderojnë gjithë vendin me aktivizmin e tyre në aktivitete të ndryshme dhe sukseset e tyre, raporton Ekonomia Online.
“Ju na nderoni me aktivizmin e juaj për rritjen e cilësisë së arsimit në vendin tonë”, tha Qerimi.
Qerimi para të pranishmëve ka prezantuar rrugëtimin e KYC-së që nga koha kur ishte formuar e deri më sot.
Heset Sahiti, zëvendësministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë tha se Këshilli Rinor i Nxënësve ndihmon në rritjen e cilësisë në arsim. Ai tha se MAShT do t’u jetë përkrah çdo herë për ta bërë më të mirën për nxënësit kosovarë.
“Ju uroj sukses në këtë kuvend zgjedhor me shpresën që t’u shkojë puna mbarë ashtu siç e keni planifikuar dhe siç është më së miri”, tha Sahiti.
“Shpreh gatishmërinë e Ministrisë së Arsimit , Shkencës dhe Teknologjisë që do të jemi përkrah jush që do të jetë në ndërtimin e personalitetit të nxënësve. Roli i këshillave është shumë i rëndësishëm në procesin mësimor dhe kam besim të plotë që këshillat e nxënësve dhe të prindërve, në bashkëpunim të ngushtë me mësimdhënës, japin kontribut në ngritjen e cilësisë së arsimit në vendin tonë”, shtoi Sahiti.
Ndërsa, Besa Shahini, zëvendësministre e Arsimit, Sportit dhe Rinisë në Republikën e Shqipërisë, tha se për ta përmirësuar cilësinë e arsimit janë bërë dy intervenime të cilat u kanë ndihmuar nxënësve dhe mësuesve në Shqipëri. Ajo tha se intervenimet kanë qenë përkthimi i teksteve shkollore dhe e dyta mënyra se si trajtohen mësuesit dhe si përzgjidhen ata, raporton EO.
“Kurrikula që përdoret në Shqipëri është e njëjtë si në Kosovë, por ata kanë ecë një hap më tutje që kanë ndërruar tekstet shkollore, disa prej teksteve i kanë marrë nga Anglia dhe i kanë përkthyer, i kanë adaptuar me kushtet në Shqipëri”, tha Shahini.
Ajo tha se nxënësit e Shqipërisë kanë një “Feedback” të mirë sa i përket ndikimit që kanë pasur këta libra të përkthyer.
Shahini shtoi se mënyra se si përzgjidhen mësuesit në Shqipëri është pothuajse e njëjtë si në Kosovë, por shkon një hap më tutje, ku pas përfundimit të studimeve në master, mësuesi i nënshtrohet edhe një testi praktik ku mësuesi me këtë rast licensohet për atë profesion.