MASHT-i thotë se do të ketë kompensim të orëve, prindërit kundërshtojnë vikendet

Prishtinë | 04 Tet 2022 | 11:47 | Nga Ekonomia Online

Kompensim të orëve të humbura do të ketë.

Kështu tha për Klankosova.tv zëvendëministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit Dukagjin Pupovci.

Pupovci tha se MASHT-i është duke punuar me intensitet për kalendarin e ri, ku përfshihet edhe kompensimi i orëve të humbura të mësimit.

“Është duke u punuar me intensitet për kalendarin e ri shkollor, i cili përfshinë në vete edhe kompensimin e orëve të humbura. Brenda pak ditësh do të jemi në gjendje të japim më shumë hollësi” – tha Pupovci.

Ndërkaq Këshilli i Prindërve të Kosovës, nuk pajtohet që kompensimi i orëve të bëhet gjatë vikendit.

Jeton Demi, tha për Klankosova.tv se do ta shohin kalendarin e ri shkollor.

“Ne kemi deklaruar që fundjavat nuk duhet të jenë opsion i zëvendësimit të orëve. Do ta shohim kalendarin. Vikendeve assesi nuk jemi dakord” – tha Demi.

Të hënën ka nisur procesi mësimor pas pesë javësh për shkak të grevës.

Përgjatë kësaj periudhe janë humbur 22 ditë mësimi.

Të ngjashme