Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami dhe ambasadori i Austrisë në Kosovë Gernot Pfandler, nënshkruan Marrëveshje Bashkëpunimi për zbatimin e projektit “HERAS- Arsimi i Lartë, Hulumtimi dhe Shkencat e Aplikuara në Kosovë”.
Qëllimi i këtij projekti është përmirësimi në mënyrë efektive dhe të qëndrueshme i arsimit të lartë në Kosovë.
Ministri Bajrami ka falënderuar Qeverinë e Austrisë për mbështetjen e vazhdueshme në fushën e arsimit, pa të cilën mbështetje Kosova do ta kishte të vështirë orientimin e arsimit të lartë në Zonën Evropiane të Arsimit të Lartë.
Ministri Bajrami theksoi se ky projekt do të jetë një ndihmesë e madhe për Qeverinë e Kosovës sa i përket përkushtimit të saj në ngritjen e cilsë.
“Po e nisim një projekt shumë të rëndësishëm, proejktin HERAS, i cili do të ndihmojë në ngritjen e cilësisë së universiteteve tona publike, në orientimin e universiteteve tona drejt shkencave aplikative dhe stimulimin e kërkimit dhe hulumtimit shkencorë”, theksoi ministri Bajrami.
Ndërsa, ambasadori i Austrisë, Gernot Pfandler u shpreh i kënaqur me bashkëpunimin në mes të qeverive të të dyja vendeve në fushën e arsimit, ndërkaq shtoi se Qeveria e Austrisë është e përkushtuar, veçanërisht në arsimin e lartë.
Projekti “HERAS- Arsimi i Lartë, Hulumtimi dhe Shkencat e Aplikuara në Kosovë” financohet nga Agjencia Austriake për Zhvillim- ADA, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe kap vlerën 2 milionë euro. Projekti do të zgjasë tri vjet dhe do t’i kontribojë zhvillimit të arsimit të lartë, stimulimit të punës kërkimore- shkencore brenda universiteteve dhe orientimit të të rinje në fushën e shkecave aplikative, për të ndihmuar zhvillimin socio-ekonomik të vendit.