MAShTI dhe UP nënshkruajnë marrëveshje për aktivitete të përbashkëta

Prishtinë | 03 Mar 2023 | 13:11 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) ka lidhur Marrëveshje Bashkëpunimi me Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” / Fakultetin e Edukimit, e cila bazohet në nevojën e bashkëpunimit në fushën e zhvillimit profesional të mësimdhënësve, drejtorëve të shkollave dhe profesionistëve të tjerë arsimor në Republikën e Kosovës.

Në njoftim thuhet se marrëveshja synon implementimin e aktiviteteve të përbashkëta në formën e kombinimit të zhvillimit profesional të personelit të institucioneve të arsimit parauniversitar dhe hulumtimit shkencor në fushat përkatëse për të modeluar zhvillimin më koherent dhe të bazuar në dëshmi dhe për të arritur efektin e reformës përmbajtjesore.

Sipas njoftimit, nënshkruesit e Marrëveshjes, ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci dhe rektori i UP-së Qerim Qerimi, kanë theksuar rëndësinë që ka kjo marrëveshje e cila synon definimin dhe identifikimin e projekteve të përbashkëta për aplikim në fonde të ndryshme të mekanizmave të Bashkimit Evropian me qëllim të avancimit të aktiviteteve të zhvillimit profesional dhe hulumtimit brenda fushëveprimit të kësaj marrëveshjeje.

“Ministrja Nagavci tha se pikat që përfshin kjo marrëveshje, janë të një rëndësie të veçantë për arsimin dhe hulumtimin shkencor, ndërsa theksoi gatishmërinë e saj dhe të MASHTI që me përkushtim të përmbushë përgjegjesitë dhe detyrat që ka marrë në këtë drejtim”, thuhet tutje.

Të ngjashme