MASHTI thotë se ende nuk ka plan për kompensimin e orëve pas ndërprerjes së mësimit

Prishtinë | 12 Mar 2020 | 19:18 | Nga Ekonomia Online

Një ditë pas pezullimit të procesit mësimor në Kosovë, Ministria e Arsimit nuk ka një plan konkret për vazhdimin e mësimit në forma të tjera alternative.

Ministrja Hykmete Bajrami ka deklaruar për KOHËN se presin që deri javën e ardhshme të hartojnë një plan për veprimet që do t’i ndërmarrin.

Bajrami ka bërë të ditur se do të angazhojnë ekspertë të cilët brenda pak ditësh do të vendosin nëse do ta marrin për bazë modelin e Shqipërisë për mësim online nga shtëpia, apo të gjejnë forma të tjera.

Ajo i ka porositur prindërit që gjatë kohës sa procesi mësimor është i pezulluar të luajnë rolin e mësuesit për fëmijët të tyre.

Njohësi i çështjeve të arsimit, Dukagjin Pupovci, thotë se MASHTI nuk do të duhej të humbte kohë, por shumë shpejt të shpalosë ide për vazhdimin e procesit mësimor.

Sipas tij, mësimi online nga shtëpia nuk është shumë produktiv, por në rrethana të tilla mund të jetë një nga opsionet.

Universiteti i Prishtinës të enjten ka bërë të ditur se i ka pezulluar të gjitha proceset duke respektuar vendimin e Qeverisë. Po ashtu, edhe Qendra e Studentëve ka vendosur t’i mbyllë konviktet dhe Mensën deri më 27 mars.

Me vendimin për pezullim të procesit mësimor, Qeveria ka paraparë që njëri prind të lirohet nga puna. Kjo masë nuk do të vlejë për punëtorët shëndetësorë dhe për punëtorët në sektorin e sigurisë.

KOHA ka kërkuar një sqarim nga Qeveria se si e ka paraparë ta realizojë një gjë të tillë, por nuk ka marrë përgjigje gjatë ditës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme