Maska natyrale për flokë të djegur

Prishtinë | 18 Gus 2024 | 23:58 | Nga Ekonomia Online

Flokët e djegur dhe majat dyshe janë ndër problemet me të shpeshta me të cilat përballen femrat.

Zakonisht priremi të mendojmë që ky problem shfaqet vetëm në verë si pasojë e ekspozimit në diell dhe ujit të kripur të detit, por jo gjithmonë ndodh kështu.

Përdorimi i tepruar i piastrës, tharëses së flokëve apo dhe dekolorimi i shpeshtë i dëmtojnë rëndë flokët. Ato thahen, humbasin qëndrueshmërinë, digjen dhe formojnë maja të dyfishta. Shpeshherë trajtimet natyrale mund të rezultojnë edhe më efektive se maskat e gatshme.

Ja dy metoda natyrale mjaft efektive që trajtojnë flokët e djegur dhe majat dyshe.

Maskë me majonezë dhe vaj ulliri:
Në një tas hidhni 3 lugë çaji majonezë, 3 lugë çaji vaj ulliri dhe 3 kapsula vitaminë E. Aplikojeni maskën nga mesi i flokëve deri tek majat. Lëreni të veprojë për 1 orë dhe më pas shpëlajeni kokën me ujë të vakët dhe shampo bimor. Përsëriteni këtë procedurë 1 herë në javë dhe do të vini re përmirësim të dukshëm.

Maskë me mjaltë dhe vezë:
Ky kombinim është i mrekullueshëm për flokët e dëmtuar.
Maska me mjaltë dhe vezë trajton majat e dyfishta dhe forcon flokët.
Përzieni dy kokrra vezë dhe dy lugë çaji mjaltë derisa të krijohet një masë homogjene. Aplikojeni maskën në të gjithë flokët nga maja deri tek rrënja dhe mbështilleni kokën me një qese plastike, shkruan femina.. Lëreni maskën të veprojë për 5 orë dhe më pas shpëlajeni kokën me ujë të vakët.

Të ngjashme