Pseudonimi i shkrimtarit dhe maska e qytetërimit duken sikur kanë ndërlidhje me njëra-tjetrën.
Pseudonimi i shkrimtarit dhe maska e qytetërimit duken sikur kanë ndërlidhje me njëra-tjetrën. “Maska” në përgjithësi është vendosur për të mbuluar fytyrën por edhe shpirtin e njeriut, duke na sjellë në kujtesë rrënjët misticiste të saj, doket dhe zakonet e stërlashta apo nevojat shpirtërore të cilat nuk do të mund t’i kuptonim lehtësisht.
Në shpirtin grek, koncepti i maskës ekziston që nga festat dionisiake dhe ka mbërritur deri në ditët e sotme, shpeshherë duke u fshehur pas mantelit të hipokrizisë, të manisë për vetizolim, të vetmisë greke dhe të skizofrenisë tradicionale për shfaqje të dykuptimtë. Maska krijohet-shpiket për të provokuar reagim emocional të botës dhe “shkrimtari-gënjeshtar” duket sikur arratiset në identifikimin e tij emocional së bashku me viktimën e tij. Maska mund të pasqyrojë një kafshë, një perëndi, një shkatërrim natyror, aftësi njerëzore apo edhe një demon. Dhe, çuditërisht, kupton se sa lehtësisht identifikohet e vërteta me të gënjeshtrën në një maskë, e cila herë pas herë fiton përmasa më të forta se sa vetë e vërteta…
E njohur pra, që prej lashtësisë, por gjerësisht e përhapur pas zbulimit të shtypshkronjës, pseudonomia përbën një praktikë popullore në Greqi, veçanërisht dy shekujt e fundit. Ksenofoni ishte athinjotasi i parë i cili në vitin 380 para Krishtit adoptoi pseudonimin filologjik për arsye politike. Por, maskat më të përsosura dhe më të pranueshme nga të gjithë, në një shoqëri të zhvilluar, janë maskat e shkrimtarit, të poetit dhe të aktorit. Ka një arsye pse shkrimtarët zgjedhin të përdorin pseudonime gjatë botimit të veprave të tyre letrare, apo qoftë gjatë botimit të pjesshëm të tyre. Lexuesit dhe kritikët kërkojnë fytyrën e vërtetë që fshihet pas këtyre maskave – pseudonime.
Natyrshëm lind pyetja pse? Pse shkrimtarët i përdorin këto truke në vend të identitetit të tyre të vërtetë? Studiuesit zbulojnë, bashkë-identifikojnë, hedhin dyshime ose diskutojnë… Mundimi më i madh është përqasja e pseudonimeve imagjinare me emrat e tyre të vërtetë, çfarë nënkuptojnë, çfarë fshehin, çfarë simbolizojnë, çfarë transmetojnë.
Përdorimi i pseudonimeve është një fenomen shoqëror në zhvillim që prej Iluminizmit dhe në Greqi arrin kulmin e tij në mesin e shekullit të 19-të. Në historinë e kësaj letërsie, sipas bibliografit Kyriakos Delopoulos (“Pseudonime”, Botimet “Estia”), janë regjistruar 1.451 pseudonime të 938 shkrimtarëve grekë në vitin 1969 dhe 4.117 pseudonime të përdorur nga 2.261 shkrimtarë grekë (letrarë, gazetarë, përkthyes, kronografë) gjatë periudhës kohore 1800-2004. Disa shkrimtarë të mëdhenj u bënë të njohur vetëm me pseudonimin e tyre, dhe kështu vazhdojnë ende të njihen botërisht për lexuesin e kultivuar dhe për atë të ri. Përmendim Μ. Karagatsis, Stratis Myrivilis, Stratis Tsirkas, Kosmas Politis (përfaqësues të Brezit të Viteve 1930), etj.
Madje, për ironi të fatit, edhe dy poetët nobelist grekë Odiseas Elytis dhe Jorgos Seferis që rrëmbyen çmimin Nobel për letërsinë, respektivisht në vitin 1963 dhe 1979, e rrëmbyen atë me forcën e padisktueshme të veprës së tyre letrare dhe nën hijen e pseudonimeve të tyre. Në këtë pikë, vlen për t’u përmendur rasti i Elytis, i cili i ndikuar pakëz edhe nga teoritë e surrealizmit francez, bën një zgjedhje rastësore të pseudonimit dhe maskës së tij. Ruan emrin e vërtetë Odiseas, dhe kombinon në mënyrë të pandërgjegjshme të gjitha dashuritë e tij në jetë. Fjalët që në greqishte fillonin me el ushtronin një magji të padiskutueshme tek ai – psh. fjala Ellada – Greqi, Elpida – Shpresë, Elevtheria – Liri, Eleni – një nga dashuritë e tij të paharrueshme, etj. Në vazhdim, ai gjykonte se gërma y ishte gërma më përfaqësuese e alfabetit grek, krijohet në këtë mënyrë mbiemri-pseudonim Ely të cilit i shton prapashtesën arkaike tis, karakteristike tipike e mbiemrave grekë, duke lënë në hije njëherë e përgjithmonë mbiemrin e tij të vërtetë Alepoudelis.
Disa prej shkrimtarëve grekë e kishin pasion të luanin me lojën e maskës dhe të pseudonimit. Cilët shkrimtarë grekë luajtën më shumë me lojën e pseudonimeve? Ilias Voutieridis shfaqet me 47 nënshkrime, Grigorios Ksenopoulos dhe Christos Christovasilis me 38 nënshkrime të ndryshme, Renos Apostolidis me 36 i cili i gjendur nën presionin e drejtuesve të “Elevtheria” (1950) boton çdo Krishtlindje nga një tregim të përkthyer të shkrimtarëve të huaj ose vetë tregimet e shkruara prej, me nënshkrimin Pasternak, Spender, MakLis, Tod, etj. Guximi i tij për t’u argëtuar vijon më tej kur ai vetëkënaqej që kishte tallur eprorët e tij të cilët as e kishin kuptuar për kaq vite me radhë.
Emmanuel Roidis (1836-1904), për shembull, i nënshkroi tekstet e tij, sipas studiuesve të ndryshëm, me 33 pseudonime të ndryshme, duke mos arritur rekordin e 160 pseudonimeve të Voltaire! Ai i pëlqente lojërat e stilit letrar të cilat e çonin atë drejt përdorimit të pseudonimeve të çuditshme ironie, autosarkazme, përshtatje reflektive, fshehje këmbëngulëse dhe kërkime të vazhdueshme të identitetit apo edhe të metamorfozave të ndryshme të tij, si: “në mënyrë demoniake dhe njerëzore, në mënyrë burrërore dhe femërore, në greqishte dhe në gjuhë të huaj, mitikisht dhe realisht” të cilat dashur pa dashur karakterizonon edhe botën e brendshme të vetë shkrimtarit me shumëllojshmërinë e tyre. Në disa raste madje, përdorimi i të kundërtave me terma të ndryshme të kujton Fernando Pesoa.
Kushte, nevoja, arsye shoqërore, familjare, politike, psikologjike (vetëpërcaktuese), estetike apo ekonomike, por edhe lojëra letrare fshihen pas përzgjedhjes së pseudonimeve të shumta që përzgjodhën shkrimtarë të mëdhenj e të njohur greke. Shkaqet janë të shumta. Një kategori të madhe përbëjnë ata shkrimtarë të cilëve nuk u pëlqen emri i tyre i vërtetë, duke mos lënë në harresë edhe faktin se shkrimtari është një njeri që do të dallohet (distancohet) edhe nga emri i tij. Por ka ndodhur edhe e kundërta, disa pseudonime të përzgjedhura, duken më të shëmtuara se sa emrat e vërtetë të shkrimtarëve.
Pa dyshim, që në këto raste, arsyet që i shtynë ata të ndryshonin identitet, ishin të tjera. Nëse shkrimtari ka sukses me këtë pseudonim, atëherë pseudonimi lidhet në mënyrë absolute me praninë e bartësit të tij. Por zakonisht, një pjesë e mirë e shkrimtarëve, duke patur frikë se ndoshta fshihet me të vërtetë pas maskës së tyre, gjejnë rastin të përmendin emrin e tyre të vërtetë. Një kategori tjetër është përdorimi sporadik i tyre për arsye të forta politike. Regjimet politike në të cilat kanë jetuar shkrimtarë të ndryshëm, përbëjnë arsyen kryesore të përdorimit të pseudonimeve, të cilat ndiqen nga doket dhe zakonet e ashpra familjare dhe tradicionale që kanë karakterizuar shoqërinë greke deri në 1945.
Disa shkrimtarë orientohen drejt kësaj përzgjedhjeje edhe për shkaqe egocentrizmi, narcizmi apo fshehjeje, dhe të tjerë për t’u ndjerë të çliruar. Pseudonimi është një luftë e kamufluar, është një puzzle karakteresh, është një mozaik i ndërlikuar emocional dhe imagjinativ, është një epokë e tërë: shpreh qëndrimin e krijuesit ndaj rrymave ideologjike, estetike dhe shpirtërore.
Pseudonomia nuk është karakteristikë vetëm e shekullit të 19-të. Shumë shkrimtarë modernë luajnë ende me këtë lojë fantazie: Kostas Varnalis, Manolis Anagnostakis, Nasos Vajenas, Filipos Drakodaidis, Jorgos Ioannou, Nikos Kazantzakis, Dimitiros Kampouroglos, Andreas Karkavitsas, Kostas Karyotakis, Ioannis Kondylakis, Aleksandros Kotzias, Manolis Leondaris, Janis Ritsos (me 17 pseudonime), Vasilis Rotas, Janis Skaribas, Napoleon Lapathiotis etj. Në ditët e sotme, pseudonimet më të njohura të shkrimtarëve bashkëkohorë janë: Zyrana Zateli, Anastasis Vistonitis, A112, etj.
Të një rëndësie krejtësisht të veçantë janë edhe përdorimet e pseudonimeve dhe shkrimtareve femra që përzgjedhin të botojnë veprat e tyre si meshkuj. Ato duken sikur frymëzohen nga shkrimtarja e njohur Karen Blixen, e cila në 1937 nënshkruan si Isak Dinesen romanin e saj Përtej Afrikës. Ndër shkrimtaret greke, rast karakteristik përbën shkrimtarja kretase Eleni Ourani nën pseudonimin Alkis Thrylos. Nuk duhet të harrojmë pa përmendur edhe fenomenin e kundërt, shkrimtarë që nënshkruajnë si femra.
Dekodifikimi i pseudonimeve greke, me-gjithë mekanizmat e përdorur për interpretimin e tyre, mbetet ende i pjesshëm. Sipas studiuesit të madh grek K.Th. Dimaras: “maska konsiderohet si leje qarkullimi brenda shoqërive anti-shpirtërore” dhe në njëfarë mënyre mund ta konsiderojmë edhe si simbol të fshehjes së të fshehtave të shkrimtarit. Edhe koncepti psikoanalitik i N.N. Drakoulidis i cili i karakterizoi të gjitha interpretimet si “justifikime të pandërgjegjshme” dhe vetë pseudonimet i quajti “nevojë të maskës që ndjen shkrimtari të mbulohet kur shfaq botën e tij shpirtërore” të lë përshtypjen sikur nuk e ndriçon plotësisht këtë fenomen kaq të përhapur aq edhe të larmishëm.