Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, ndodhet në një vizitë zyrtare në Berlin, ku zhvilloi një takim me homologun e tij gjerman, Heiko Maas.
Takimi u përqendrua në diskutime të hollësishme për domosdoshmërinë e fuqizimit të procesit të zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor dhe rëndësin e çeljes së negociatave për anëtarësim për Shqipërinë, vitin e ardhshëm.
Në një reagim në Facebook, Cakaj bëri të ditur: “Shqipëria gëzon mbështetjen e Gjermanisë për hapjen e negociatave vitin që vjen!”
Gjithashtu, homologët ndanë qendrime të njëjta lidhur me vazhdimin e reformave transformuese të Shqipërisë dhe plotësimin e kushteve të paraqitura nga Bundestagu në funksion të rrugëtimit evropian.
Mbështetja e Gjermanisë për zhvillimin institucional e demokratik dhe rrugëtimin evropian të Shqipërisë, mbetet rrënjësore, transmeton TCh.
Sa i përket zhvillimeve të fundit në Shqipëri, Cakaj shprehu mirënjohjen për mbështetjen e jashtëzakonshme të Gjermanisë për përballimin e pasojave të tërmetit. Nga ana tjetër, Maas konfirmoi gatishmërinë e tij të mëtejme për ta ndihmuar Shqipërinë në planin e riparimit dhe rindërtimit.
Gjithashtu, gjatë qendrimit në Berlin, kreu i diplomacisë shqiptare mori pjesë edhe në hapjen e konferencës së nivelit të lartë që po zhvillohet nën kujdesin e Ministrit të Jashtëm gjerman, Heiko Mass, me temë “Advokimi për të drejtat e njeriut në shekullin 21-të”.