Matoshi nënshkruan 6 dokumente që avancojnë fushën e kadastrës dhe regjistrimit të pronës

Prishtinë | 15 Nën 2019 | 14:30 | Nga Kastriot Kokollari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ka nënshkruar gjashtë Udhëzime Administrative që avancojnë fushën e kadastrës dhe regjistrimit të pronës, raporton EkonomiaOnline.

Ministri në detyrë i Mjedisit, Fatmir Matoshi, tha se me hyrjen në fuqi të këtyre udhëzimeve po finalizojnë  punën një vjeçare, qëllimi i së cilës ka qenë ofrimi i shërbimeve më të mira kadastrale dhe pronësore për qytetarët e Republikës së Kosovës.

 “Sapo nënshkrova 6 udhëzime administrative në fushën e Kadastrit, të cilat shënojnë një progres mjaft të madh në ofrimin e shërbimeve kadastrale për qytetarët. Udhëzimi Administrativ për ndarjen dhe regjistrimin e parcelës, Udhëzimi Administrativ për matjet kadastrale për regjistrim në kadastër, Udhëzimi Administrativ për ndarjen e ndërtesës dhe pjesëve të ndërtesës, Udhëzimi Administrativ për ndarjen e zonave kadastrale, Udhëzimi Administrativ për licencimin e kompanive gjeodete dhe të gjeodetëve, Udhëzimi Administrativ për tarifat dhe produktet e Agjencisë Kadastrale”, tha ai.

Po ashtu Matoshi tha se me këto udhëzime janë standardizuar çmimet për produkte dhe shërbime të cilat i ofrojnë Zyrat Kadastrale Komunale dhe Agjencia Kadastrale e Kosovës.

Ndërsa  janë harmonizuar edhe çmimet për produkte dhe shërbime ofruar nga gjeodetët e licencuar dhe kompanitë e licencuara gjeodete.

“Janë rritur  kriteret për licencim të gjeodetëve dhe kompanive gjeodete, paralel me to do të ngritët edhe kualiteti i shërbimeve ndaj qytetarëve. Secili gjeodet dhe secila kompani gjeodete ka të deleguar përgjegjësi shtetërore në fushën e kadastrës dhe gjeodezisë. Është eliminuar pengesa për ndarjen dhe bashkimin e parcelave në zonat urbane. Një gjë e tillë është realizuar vetëm përmes marrjes së pëlqimit nga Urbanizmi, gjë që u ka komplikuar procedurat dhe ka shkaktuar probleme të mëdha qytetarëve në ndarjen e pronësisë”, tha ai.

Ndërsa kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë Kadastrale të Kosovës, Avni Ahmeti, falënderoi ministrin Matoshi për përkrahje, teksa u kërkoi edhe nga qeveria në ardhje që të përkrahë projektet në këtë fushë, me theks të vecantë ligjin e ri për kadastër.

 “Besoj që edhe qeveria në ardhje do të na përkrah. Ligji i ri për kadastër parasheh riorganizim në nivel vendi dhe do të shënojë një kapitull të ri për kadastrën e Kosovës. Disa prej ndryshimeve të nevojshme deri në aprovimin e këtyre të fundit jemi mundu me i përfshi me problemet që ballafaqohen qytetarët. Nga tash e tutje do të kërkojmë ngritjen e cilësisë së produkteve që i ofrohen qytetarët”, tha ai.

Po ashtu u tha se me këto udhëzime bëhet thjeshtimi i procedurave për krijimin e bashkëpronësisë dhe krijimi i bazës ligjore për ndarjen e bashkëpronësisë në rastet kur qytetarët janë obliguar të hyjnë në bashkëpronësi.

Të ngjashme