Matoshi pret në takim përfaqësuesit e Bankës Botërore, kërkon investime për ujin

Prishtinë | 15 Gus 2018 | 17:31 | Nga

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi sot është takuar me ushtruesin e detyrës  së Menaxherit të Bankës Botërore për Kosovë, Diego Garidd,  specialistin për Menaxhimin e Burimeve Ujore, TTL, Pieter Waalewijn, specialisten për Menaxhimin e Burimeve Ujore, CO TTL, Trandelina Baraku dhe specialistin e Lartë të Mjedisit, Javaid Afzal.

Gjatë këtij takimi është diskutuar për ecurinë e projektit të Bankës Botërore për Mbrojtjen e ujit dhe projektit për kanalin e Ibër – Lepencit si dhe janë prezantuar të gjeturat e raportit të studimit mbi “Gjendjen e Sigurisë së Ujit në Kosovë” ( Water Security Outlook).

U.d ministrit Matoshi me këtë rast tha se Kosova ka nevojë për partner dhe donatorë të cilët mbështesin projekte për mbrojtjen e ujit e në veçanti kërkoi që MMPH-ja të ndihmohet në projektet që kanë të bëjnë me ndërtim të pendave të ujit.

“ Kemi nevojë si shtet për ndërtimin e ujëmbledhësve dhe shtimin e numrit të pendave të ujit. Këtu na duhet mbështetja e Bankës Botërore që të sigurojmë ujë të mjaftueshëm për vendin tonë, andaj jemi të interesuar që të hyjmë në projekte konkrete për ndërtim të pendave të ujit”, tha Matoshi.

Ndër tjerash, u.d Matoshi ka siguruar përfaqësuesit e Bankës Botërore se MMPH-ja është e gatshme t’i kryer të gjitha obligimet e saja në projektin e kanalit të Ibër Lepencit.

Ndërsa ushtruesi i detyrës së Menaxherit të Bankës Botërore për Kosovë, Diego Garidd, tha se Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka një rol kyç në projektet e Bankës Botërore.

“ Vitin e kaluar kemi aprovuar Strategjinë tonë Shumëvjeçare që është Korniza për Partneritet me Vendin me tri shtylla, njëra prej të cilave është e lidhur me çështjen e mjedisit. Kemi disa projekte që prekin përgjegjësit dhe punën që bënë Ministria e Mjedisit. Jeni ministria kyçe për ne dhe Banka Botërore është e interesuar të vazhdojë këtë bashkëpunim dhe presim prioritetet Tuaja në këtë fushë”, tha Garidd.

Ndërsa specialisti për Menaxhimin e Burimeve Ujore, TTL, Pieter Waalewijn gjatë këtij takimi prezantoi të gjeturat e studimit mbi gjendjen e sigurisë së ujit në Kosovë duke vlerësuar se Banka Botërore është e interesuar të ndihmojë MMPH-në me analiza dhe investime për çështjen e mbrojtës së ujit në Kosovë.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme