Matoshi: Shtyrja e afatit për gjoba do t’i ulë tensionet dhe Kurti ia zgjat vetes jetën në krye të Qeverisë

Prishtinë | 20 Nën 2022 | 21:11 | Nga Ekonomia Online

Analisti politik, Halil Matoshi, ka thënë se shtyrja e vendimit për gjobitje për shoferët me targa ilegale, për 24 orë, lidhet me takimin e nesërm që kryeministri Albin Kurti do të zhvillojë me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Ai tha se kjo shtyrje është si një “time-out” deri në takim me Vuçiqin. Ai pret që Kurti do ta shtyjë vendimin krejtësisht, por është misterioze pse nuk e bëri kur ia kërkoi SHBA.

“Po. Shtyrja për 24 orë e gjobave është bërë si “time-out” deri në takimin me Vuçiçin. Kurti do ta shtyjë afatin, por misterioz mbetet fakti pse këtë nuk e bëri kur ia kërkuan amerikanët e po e bën kur po ia kërkojnë Borell e Lajçak!?” thotë Matoshi për Gazetën Blic.

Sipas tij, shtyrja e afatit për gjoba do t’i ulë tensionet dhe Kurti ia zgjat vetes jetën në krye të Qeverisë.

“Sidoqoftë, shtyrja e afatit për gjoba nga Kurti do t’i ulë tensionet në veri duke ia zgjatur jetën vetes në krye të Qeverisë, por nuk e përmirëson pozicionin negociues të Kosovës”, deklaron Halil Matoshi

Policia e Kosovës ka njoftuar se nga data 22 nëntor nis masa e gjobitjes për veturat me targa ilegale.

Masa e gjobitjes ishte paraparë të niste me datën 21, por që tani është shtyrë për 24 orë nisja e zbatimit të saj.

Kryeministri Albin Kurti po qëndron në Bruksel, ku nesër do të ketë takim urgjent me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

Kështu e quajti takimin e nesërm Bashkimi Evropian, derisa tha se do të ketë takime ndaras e më pas dhe takim të përbashkët Kurti-Vuçiq.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme