E vërteta letrare mbijeton shekujt!

Prishtinë | 15 Jan 2024 | 20:51 | Nga Halil Matoshi

Për librin e kujtesës kosovare të Blerina Rogova Gaxha: “Memorie dhe Traumë: Kujtesa e luftës 1998-99 në letërsinë shqipe në Kosovë”

Si prolog

Nji observim për nji libër të kujtesës së trefishtë: si mimesis, (imitim i realiteit historik në arte e letërsi), mnemos (elemente që përbajnë kujtesën – senzorë memorizues) dhe logos (parimi i arsyes hyjnore dhe rendit krijues), e në psikologjinë Jungiane, parimi i arsyes dhe gjykimit, i lidhur me animusin – motivimin.

1.
E vërteta faktike tejkalohet shumëfish nga e vërteta letrare. Këtë na e thotë qysh Homeri tek Iliada.
Memoria letrare plakë shekujt.
Në nuk kemi fakte nga ballistika se nga erdhi shigjeta që goditi Akilin dhe as vendin ku ajo e goditi por Homeri na flet për thembren – ma të lëndueshmen – dhe lotët e Priamit që i lutet Akil Kambëshpejtit me ia kthy kufomën e të birit, Hektorit!
Thembra e Akilit âsht fiksion letrar kurse lotët e Priamit ende ruhen të freskët në Kângën XXIV. Si me pa sot nji babë tue vajtue para kâmbëve të vrasësit të te birit!?
Edhe sot lutjet é Priamit na i dridhin gjujtë!
Priami iu lut me gjithë zemër Akilit: “Kujto babën tand, mocë me mue, o Akil i madh Hyjnori– tue kalue pragun e pleqnisë vdekjeprumëse, pa askând për me e mbrojtë…” (Iliada, kânga 24, strofa 585.)
Priami qan sepse djali i tij i preferuem âsht vra e gjymtue, dhe ai ende nuk mundet me é varros djalin e tij. Përdhosja e nji trupi dhe mbajtja e tij nga ritet e vorrimit e pengoi atë me lëviz në jetën e përtejme.
Akili donte me e dënue Hektorin edhe pasi kishte dekun. Akilit papritmas i kujtohet baba i tij dhe si âsht i destinuem mos me e pa mâ dhe shkrehet në vaj; ai vajton për veten e tij dhe sheh babën e tij tek Priami, më në fund i vjen keq për një njeri nga radhët anmike duke iu ngjallun Thymos-i. Krenaria (dinjiteti) e nxitun nga zemërimi dhe mëshira.
Poetët kosovarë dymijë vjet ma vonë ngjallin kujtesën e luftës, njashtu rikthehen tek Thymos-i grek.

2.
Lufta âsht smujë, (patologji shoqnore) dhe nuk ka terapi ma t’sofistikueme se poezia me e shnoshë shpirtin e lëndumë nga plagët.
Poezia dhe letrat e bukura përgjithësisht pos që rindërtojnë (rrjetojnë e riparojnë) kujtesën për atë që na ndodhi japin edhe përgjigje në pyetjen pse na ndodhi dhe tue i bâ anamnezë introspektive, të ndodhunës, nxjerrin perspektivë mos me na ndodhë mâ!?

3.
Libri studimor i Blerina Rogovës – Gaxha ‘Memorie dhe Traume: Kujtesa e luftes 1998-99 në letersinë shqipe në Kosovë” si dhe ekspozita me ‘Artefacte’ p’ej letre bashk me shfaqjen e nji cope kujtesë si video-essay, âsht projekti ma i madh i kujtesës letrare në Kosovë.
I vetmi i kësaj natyre.
Blerina interpreton estetikën e frikës dhe trishtimit nga zhbâmja, jo veç të identitetit, po edhe e kujtesës së etnisë shqiptare, që vjen si zâ klithme në letërsinë e re kosovare.
Për Hanna Krall “viktimat nuk kanë nevojë për ne – ne kemi nevojë për klithmat e tyne”.
Krall (1935) një shkrimtare polake me diplomë në gazetari nga Universiteti i Varshavës, e specializuar midis temave të tjera në historinë e Holokaustit në Poloninë e pushtueme.
Blerina Rogova-Gaxha niset nga premisa e Renate Lachmann-it (teoriciente letrare) se shkrimi âsht njikohësisht “nji akt kujtese dhe nji interpretim i ri, me anë të te cilit nji çdo tekst i ri gdhendet në hapësinën e kujtesës.”

4.
Simas studjuesit Agron Y. Gashi “âsht arti që ‘rindërton”, riprodhon kujtesën, e kjo e fundit bân që mos me u harrue (…) tue na e shpërfaqë herë si mimesis é herë si mnemosys (letrat si mnémo) si kundërvumje harresës e për mos me dekë nga e vërteta – logosi.
Ky studim dëshmon sy bote – në nivel arti – për krimin e fundshekullit 20 që Serbia fashiste e kreu në Kosovë.
Po, Nietzsche tha: “Ne kemi artin mos me dekë nga e vërteta”. Kjo maksimë gjendet në librin e tij “Vullneti për pushtet”, (seksionin 879) i cili u botue mas deket tina.

5.
Poezia munet me afrue rehati dhe me rritë disponimin gjatë periudhave të stresit, traumës dhe pikëllimit.
Kombinimi i fuqishëm i fjalëve, metaforës dhe metrit na ndihmon me u shpreh ma mirë dhe me e kuptué botën dhe vendin tonë në të.
Poezia e luftës nuk âsht domosdoshmënisht
‘anti-luftë’.
E tillë në observimet e Blerinës del të jetë poezia e Bajrajt dhe Matoshit, (ku të pagojët flasin, pra dëshmojnë) që i shquen nji frymë e realizimit magjik dhe dilemës morale, derisa protesta antiluftë shpërthen me ironinë e hollë në poezinë e Arben Idrizit.
Megjithatë, bëhet fjalë për çashtje shumë të mëdha të jetës: identitetin, pafajësinë, fajin, besnikninë, guximin, dhembshuninë, humanizmin, shërbimin, dëshirën, vdekjen.
Sërish vdekjën. Në poezinë e re kosovare, deka nuk ndodhë sepse subjektet lirike ngritën e bien, fluturojnë, gurëzohen, shuhen ose shndërrohen në lule.
Si plagët e luftës në studimin e Blerinës.

6.
Si epilog

Libri âsht i shkruem në formë eseu dhe i qasshem për të gjithë lexuesit e jo vetëm për nivele akademike.
Blerina në trembëdhjetë kapituj ka përmbledhë krijitarinë letrare të 40 autorëve kosovarë (poezi e prozë) tue bâ simbiozën e viktimës, dëshmisë dhe autores (edhe vet përjetuese e luftës) në nji shkrim estetik integral, që në thelb âsht memorie universale – si nji Shoah hebraik – që i flet të sotmes për mos me u përseritë nesër!
Pa dëshminë letrare bota kish me qenë shurdhmemece.
Nuk kishim me e njoftë lutjen e Priamit me buzë në vaj dhe as Thymos-in grek – shkrehjen në vaj të Akilit!?

Falemnerës Blerinë!

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme