Dhoma 11

Prishtinë | 07 Pri 2023 | 18:30 | Nga Ekonomia Online

(Poezi nga Blerina Rogova Gaxha)

asnjeri s’i bie këndej
murmurit dhoma 11
po t’i kishe ra kësaj ane mbase e kishe kuptue
unë nuk e marr vesh

natën vonë kësaj rruge nuk i bie njeri
shkallëve të godinës asnjeri s’lëviz
dhoma 11 edhe sonte diçka thotë
po t’i kishe ra kësaj ane mbase kishe me e kuptue
çika e dhomës 12 po fle. edhe dhoma e saj
asnjeri s’i bie këndej
në dhomën 10 s’kam pa kënd
dhoma 11 thotë diçka
s’muj me t’kallzue çka
fike llampën e fli

asnjeri nuk i bie bregut të lumit natën vonë
danubi po fle në gjiun e pushtë të vjenës
e vjenës i ka ikur gjumi

dhoma 11 diçka thotë
me i pas ra këndej e kishe dëgjue
po terr i dynjasë i ka ra kësaj ane
dhe ja, dikush po flet, po jo zani i dhomës 11
një za tjetër n’hije m’bahet se klith. kush të jetë?
mos vjen nga lindja…
terr i dynjasë, asnjeri s’lëviz
vetëm dhoma seç ka sonte që s’mbyll gojë
të gjithë luten në net të rënda
po nuk kam ndonjë qejf me u lutë
fike llampën e fli të lutem

n’terr përsëris një lutje
nganjëherë kam frikë
ndonjeri mund të kalojë pranë dhomës 11

asnjeri sonte s’ka me u kujtue
terr i dynjasë
po t’i kishe ra këtij shtegu mbase kishe me e kuptue
dhoma 11 e njeh largësinë
fike llampën e fli

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme