Ministri në detyrë i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, ka reaguar lidhur me lajmin se disa kompani po planifikojnë të ndërtojnë një lagje në afërsi të Liqenit të Badocit.
Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se nuk ka informata ende për projektin në fjalë, ndonëse zotohet se do të veprojë në pajtueshmëri me ligjin.
“Dëshirojë të sigurojë të gjithë ata që janë shqetësuar nga ky lajm, se do të ketë zbatim të plotë të ligjit sa i përket ndërtimeve në zonat pranë akumulacioneve të ujit. Në informatat e para që i kam, investitori duhet t’i nënshtrohet edhe pëlqimit mjedisor dhe tek pastaj të definohet nëse i plotëson kushtet për mbrojtje të mjedisit dhe ujërave. Republika e Kosovës ka ligje mjaft të avancuara për ujërat dhe kërkohet vetëm zbatimi i plotë i tyre nga të gjitha palët e përfshira”, ka shkruar ai.
Matoshi thotë se te ky liqen, vitin e kaluar kanë lëshuar në funksion Impiantin për trajtimin e ujërave të zeza për pjesën që përfshin Mromorin dhe disa fshatra rreth tij.
Sipas tij, ky Impiant është ndërtuar me mbështetjen financiare të Qeverisë Çeke, dhe ka ndikimin e vet mjaftë pozitiv në cilësinë e ujit të Badocit.
“Po ashtu në mandatin tim, bashkë me OJQ-të, Policinë e Kosovës, e me diplomatë të akredituar në Kosovë, tri herë e kemi pastruar zonën rreth liqenit nga mbeturinat e hedhura nga persona që e kanë përdorë për piknik këtë vend, por e kanë degraduar me mbeturinat që kanë lënë gjithandej”, ka thënë ai.
Matoshi tutje ka shtuar se Kosova është në luftë për sigurimin e ujit dhe liqenet duhet të ruhen.
Ai thotë se gjatë mandatit të tij në krye të MMPH-së, njëri ndër objektivat kryesor ka qenë çështja e ujit të pijes dhe rezervave ujore në Kosovë.
“Kosova, ashtu si e kemi përsëritur shumë herë, është vendi më i varfër në Evropë për nga rezervat ujore, dhe ne jemi pjesë e një përkushtimi dhe një lufte globale për ujë e sidomos për ujin e pijes. Rezervarët e ujit në Kosovë, edhe në muajin janar janë pothuajse në pikat kritike për shkak të thatësisë që kemi dhe mungesës së reshjeve në vend”, ka thënë ai.
Matoshi thotë se lumenjtë në vend, për shkak të pozitës tonë gjeografike dalin shpejt jashtë kufijve të Kosovës, ndërsa vendi ynë nuk ka pasur deri para një viti asnjë iniciativë konkrete për ndërtim të ujëmbledhësve të rinj.
“Në kuadër të shtimit të rezervave ujore, kam ndërmarrë iniciativën për të gjetur fonde për ndërtimin e digave të reja, dhe për një vit punë kemi arritur të realizojmë dhjetëra takime me Bankën Botërore nga e cila presim që për pak muaj të aprovojë një fond prej mbi 40 milion dollarë amerikan për Hidrosistemin Kikë – Kremenatë dhe po ashtu edhe për studime e projektime të digave të reja në rajone të ndryshme të Kosovës”, thotë ai.
Një fokus tjetër, Matoshi thotë se ka pasur edhe në zbatimin e vendimeve të inspektoratit për ruajtjen e rezervave ujore të Batllavës, ku në vitin 2018 kemi realizuar rrënimin e 48 objekteve pa leje ku pjesa dërmuese e tyre ishin në zonën e parë, të ndërtuara në pronën ujore të liqenit të Batllavës në fshatin Orllan.