Koalicioni PDK-LDK nuk e ka zbatuar agjendën nacionale për çka edhe është krijuar, andaj nuk ka asnjë arsye që kjo qeveri të vazhdojë mandatin më tutje.
Kështu ka thënë për Ekonomia Online, profesori i integrimeve evropiane, Avni Mazreku, duke shtuar se si pozita ashtu edhe opozita që nga fillimi kanë pasur qasje të gabuar ndaj çështjes së demarkacionit me Malin e Zi.
“Shihet që në Kosovë ky koalicion i madh nuk e ka zbatuar agjendën nacionale dhe mendoj që arsyeja e krijimit të këtij koalicioni është shuar dhe pasi që është shuar arsyeja e krijimit mendoj që nuk ka nevojë të ekzistojë ky koalicion. Mirëpo problemet e tjera që Kosova ballafaqohet siç është çështja e demarkacionit mendoj që nuk ka pasur qasje të drejtë nga të dy taborët politike. Në këtë rast as nga pozita e as nga opozita se cila është rëndësia e këtij procesi dhe në fakt edhe siç është paraqitur si kusht esencial i lidhur me procesin e liberalizimit të vizave”, ka thënë ai.
Njohësi i çështjeve të integrimit madje thotë se demarkacioni me Malin e Zi është edhe më problematik se sa që shihet. Ai thotë se sipas rezolutës së OKB-së, 1244 që është ende në fuqi, demarkacionin me Malin e Zi e konsideron si demarkim me Serbinë dhe jo me Kosovën.
“Ne e dimë që rezoluta 1244 është ende në fuqi dhe në qoftë se flasim nga ky këndvështrim që është fakt juridik që ekziston ky kufi nuk është i Republikës së Kosovës me Malin e Zi, por sipas kësaj rezolute ky kufi është i Serbisë me Malin e Zi. Kompozicioni i OKB-së është i tillë që Rusia ka një rol tepër të madh dhe po ashtu që mandati i KFOR-it në Kosovë i është dhënë pikërisht nga kjo rezolutë pra rezoluta 1244. Krijimi i një konflikti çfarë është krijuar ose tendencës për t’u krijuar një konflikt politik në një kufi të tillë çfarë është ky i joni ekzistues mund të provokojë në fakt prezencën ushtarake të Rusisë në Ballkan dhe një provokim i tillë e cenon esencialisht interesin të Kosovës”, ka thënë ai.