Drejtoria e Arsimit e Komunës së Prishtinës, në koordinim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe me përfaqësuesit e Fakultetit të Edukimit të Universitetit “Hasan Prishtina”, organizoi debat publik, lidhur me profilizimin e mësuesve të ciklit klasor I-V, nismë kjo e vitit të kaluar ku synohet të arrihet një mësues/e për klasë.
Në njoftimin e komunës së Prishtinës thuhet se për këtë çështje, kanë filluar të zhvillohen debatet në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës, për të kuptuar opinionin e gjithë akterëve të përfshirë në procesin arsimor çështje. Po ashtu, edhe Fakulteti i Edukimit është duke e realizuar një hulumtim dhe shumë shpejt do të del me një vlerësim të përgjithshëm.
“Një debat me karakter të tillë u zhvillua edhe në kryeqendër, ku pjesëmarrës ishin drejtuesit e 42 institucioneve edukativo-arsimore të nivelit fillor dhe të mesëm të ulët dhe 70 mësues/e të secilës shkollë të Komunës së Prishtinës, për të kuptuar perceptimin dhe mendimin e tyre rreth kësaj nisme. Diskutuesit shprehën mendime dhe këndvështrime të ndryshme lidhur me profilizimin e mësueseve, por në përgjithësi përkrahen idenë, duke konsideruar se kjo do të reflektonte drejtpërsëdrejti në specializimin e mësuesve dhe përmirësimit dhe ngritjes së cilësisë në arsim”, thuhet në njoftim.
Kjo iniciativë e institucioneve përgjegjëse të arsimit, për profilizimin e mësuesve të klasave I-V, është si rezultat i zhvillimeve të hovshme bashkëkohore në sferën e arsimit dhe kërkesë për t’iu përgjigjur zhvillimeve të kohës për një mësimdhënës dhe mësim-nxënie cilësore, sipas standardeve bashkëkohore.