Mbahet dëgjim publik për projektligjin për shoqëritë tregtare

Prishtinë | 05 Pri 2017 | 16:11 | Nga

Përfaqësues të ministrive, avokatë, përfaqësues të Shoqatës së bankave e të organizatave të tjera, diskutuan gjerësisht rreth përmbajtjes së Projektligjit për shoqëritë tregtare, duke dhënë, njëkohësisht, vërejtje e propozime rreth neneve të caktuara të tij

Në kuadër të rregullimit sa më të mirë ligjor të ambientit biznesor në Kosovë, Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti e Industri i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i udhëhequr nga kryetari, Muhamet Mustafa, ka mbajtur sot dëgjim publik, në të cilin është diskutuar për Projektligjin për shoqëritë tregtare.

Përfaqësues të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, të Ministrisë së Punës e Mirëqenies Sociale, asaj të Zhvillimit Ekonomik, avokatë, përfaqësues të Shoqatës së bankave e të organizatave të tjera, diskutuan gjerësisht rreth përmbajtjes së këtij projektligji, duke dhënë, njëkohësisht, vërejtje e propozime rreth neneve të caktuara të tij.

Duke e arsyetuar mbajtjen e këtij dëgjimi publik, kryetari Mustafa shpalosi aspekte përmbajtësore të projektligjit, të cilin ai e konsideroi të një rëndësie të veçantë. Mustafa tha se rekomandimet dhe propozimet e të pranishmëve në këtë dëgjim publik, do të shqyrtohen nga komisioni, në funksion të përmirësimit të projektligjit dhe rregullimit sa më të mirë të kësaj fushe.

Përfaqësuesja e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Remzije Hajdari, në cilësi të sponsoruesit, paraqiti para të pranishmëve qëllimin, rëndësinë, fushën e rregullimit dhe përmbajtjen e Projektligjit për shoqëritë tregtare. Ajo tha se arsyeja kryesore për hartimin e këtij projektligji është adresimi i nevojës për përafrimin e Ligjit ekzistues për shoqëritë tregtare me legjislacionin e BE-së në përputhje me kërkesat e MSA-së dhe Planit të Zbatimit për MSA.

Arsye tjetër, ajo përmendi përcaktimin e rregullave që ndikojnë në mbrojtjen e investitorëve të vegjël në korporata, si dhe përmirësimin e mëtutjeshëm të procedurave për regjistrimin e shoqërive tregtare, duke u bazuar në kërkesat e Metodologjisë së Bankës Botërore në Raportin për të Bërit Biznes.

“Dispozita tjera ligjore me rëndësi të madhe të cilat do të kenë ndikim në përmirësimin e ambientin të të bërit biznes në Kosovë, janë dispozitat të cilat përcaktojnë krijimin e numrit unik identifikues për shoqëritë tregtare”, theksoi Hajdari.

Në një komunikatë për medie, përfaqësues të dikastereve të ndryshëm qeveritarë, të organizatave e shoqatave të ndryshme, të pranishëm në këtë dëgjim, paraqitën vërejtjet, sugjerimet dhe propozimet e tyre, duke e konsideruar këtë projektligj të një rëndësie të veçantë për bizneset e Kosovës.

Kryetari i komisionit, Muhamet Mustafa, duke e konsideruar të frytshëm këtë dëgjim publik, tha se propozimet e vlefshme do të merren parasysh nga komisioni dhe do të inkorporohen në projektligj gjatë amendamentimit të tij.

Po sot, në një mbledhje të veçantë, Komisioni për Zhvillim Ekonomik, shqyrtoi dhe përkrahu raportin me rekomandime për Projektligjin për automjete, duke i rekomanduar seancës miratimin e tij.

 

Të ngjashme