AKP-ja ka arritur t’i transferojë 42 milionë euro në buxhetin e shtetit gjatë 2017-ës

Prishtinë | 26 Qer 2018 | 13:19 | Nga Besjana Bajrami

Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal shqyrtoi Raportin vjetor të Agjencisë Kosovare të Privatizimit – AKP-së për vitin 2017.

Kryetari i bordit të AKP-së, Petrit Gashi, tha viti 2017 ka qenë një prej viteve më të suksesshme për AKP-në, raporton Ekonomia Online.

“Një prej arritjeve që është bërë nga ndryshimi i ligjit është që është bërë debllokimi i fondeve ku janë bërë 42 milionë euro transfer në buxhetin e shtetit. Qysh në fund të vitit 2016 e kemi sjellë në Komisionin për Zhvillim Ekonomik se si e mendojmë procesin e privatizimit. Një nga vonesat që e kanë zbrapsur agjencinë është struktura jo e plotë e bordit”.

Gashi theksoi se përkohësisht janë pezulluar aktivitetet për Trepçën, raporton Ekonomia Online.

“Ne i kemi ndërtuar disa mekanizma se si i shesim asetet tona. Ne që nga viti 2017 kemi aplikuar një plan të shitjes, por për shkak të mungesës së 7 anëtarëve të bordit dje në mbledhje e kemi revitu këtë plan. Asnjë aset i Trepçës nuk do të hyjë në procesin e likudimit pa e pasë të qartë se çfarë trajte do të marrë çdo aset i Trepçës. Ne kemi pezulluar çfarëdo aktiviteti për Trepçën për momentin”.

Sipas Gashit, Agjencia Kosovare e Privatizimit i kushton Kosovës 10 milionë euro, raporton EO.

“Krejt AKP-ja i kushton 10 milionë euro Kosovës, ku 3.6 milionë euro ndahen për rroga në vit. Agjencia nuk shet asete të papastra, ne i pastrojmë asetet nga çdo problem mirëpo nuk mund ta mohoj që pastaj blerësit nuk kanë probleme me uzurpatorët”.

Driton Hajdari, drejtor në AKP, tregoi disa nga të arriturat e kësaj agjencie për vitin raportues.

“Kemi marrë 2000 oferta dhe vlera e këtyre ofertave ka kaluar vlerën 10 fish prej herave të kaluara. Ma herët ka qenë 35 euro vlera e tokës së privatizuar, tashmë ka arritur në 350 euro. Kanë mbetur edhe 3 lokale në Mitrovicë dhe lirimi i tyre mbetet çështje ditësh. Vetëm në vitin raportues kemi shpërndarë 7 milionë euro, për kreditorë kemi realizuar 200 kontrata”.

Kryetarja e komisionit, Sala Berisha- Shala, tha se në mungesë të bordit Agjencioni ka pasur problem mirëpo tash presin më shumë punë.

“Ajo që është shqetësuese ka qenë 6 muaj pa bord dhe ka qenë hendikep, tashmë e keni bordin dhe mund të punoni”.

Të ngjashme