Komuna e Drenasit sot ka përmbyllur ciklin e dëgjimeve buxhetore ne vendbanime për buxhetin e viteve 219-2021, pas marrjes së Qarkores Buxhetore 2019/02 të lëshuar nga Ministria e Financave që ka përcaktuar kufijtë e planifikimit të buxhetit ne të gjitha linjat e shpenzimit të parasë publike.
Të hënën janë zhvilluar dëgjimet përmbyllëse se i përket takimeve me qytetar për të diskutuar buxhetin. Dëgjimi i parë është mbajtur në shkollën “Xheladin Gashi-Plaku” në Komoran, me kryetar të fshatrave dhe banorë të; Komoranit I, II, III dhe IV, Kizhnarekë, Nekoc, Sankoc, Fushticë e Ulët dhe e Epërme, Korroticë e Ulët dhe e Epërme dhe Zabel i Ulët dhe i Epërm.
Ndërsa pasditen e së hënës është mbajtur dëgjimi buxhetor me banorët e Drenasit I, II dhe III, të fshatit Shtrubullovë, Gllobar, Poklek i Ri dhe i Vjetër, Vasilevë dhe Lagja e Ferronikelit.
Në këto dëgjime buxhetore merrnin pjesë, kryetari i Komunës, Ramiz Lladrovci, drejtori i Urbanizmit, Idriz Hysenaj, drejtoresha e Shërbimeve Publike dhe Emergjencë, Lumnije Krapi, drejtori i Financave, Labinot Gruda, zyrtar të tjerë komunal, kryetar të fshatrave dhe zonave urbane, përfaqësues të lagjeve, qytetarë dhe media.
Fillimisht, ne këto dëgjime, kryetari i Komunës, Ramiz Lladrovci ka shpalosur synimet e Komunës për buxhetin e vitit 2019 dhe planifikimin e buxhetit për vitet 20120 dhe 2021 dhe ka treguar për projektet qe do të zhvillohen ne lokalitetet e tyre. “Ju para vetes keni edhe një draft-listë të investimeve kapitale për vitet e ardhshme si dhe një informatë të planifikimit të ndarjes se buxhetit, por ne jemi duke u munduar që se bashku me ju, duke dëgjuar propozimet e juaja direkte edhe të hartojmë një buxhet sa me të mirë e efikas për Komunën e Drenasit. Nuk janë vetëm ato projekte qe ju i shini para vetës. Duke marrë mbështetjen edhe nga niveli qendror, do të zhvillojmë edhe shumë projekte madhore gjatë viteve në vazhdim, si rregullimin e shtratit të Lumit Drenica, rregullimin e stadiumit, ndërtimin e qendrës së re të biznesit, rregullimin e liqenit akumulues, ndërtimin e fabrikave, krijimin e vendeve te reja të punës dhe shumë projekte të tjera”, ka thënë kryetari Lladrovci.
Kurse, të pranishmit kanë paraqitur sugjerimet dhe propozimet e tyre për projektet qe janë ne interesin e përgjithshëm të lokalitetit ku ata jetojnë.
Ndryshe, buxheti i Komunës për vitin 2019 do të jetë mbi 15 milionë euro, një milion më shumë se viti aktual, ndërsa afër 5 milion do të jenë për investime kapitale, projekte që janë në interesin e komunitetit.