Me mbështetjen e Ambasadës Amerikane, Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Republikës së Kosovës ka realizuar një takim konsultativ shumë përmbajtjesor me lidershipin e Foreign Service Institute (FSI) – Instituti i Shërbimit të Jashtëm në kuadër të Departamentit Amerikan të Shtetit.
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, bëri të ditur se me Institutin e Shërbimit të Jashtëm, që funksionon në kuadër të Departamentit Amerikan të Shtetit, është diskutuar për shumë tema, dhe në veçanti për reformat funksionale brenda MPJD-së dhe fuqizimin e kapaciteteve diplomatike në kuadër të shërbimit të jashtëm të Republikës së Kosovës.
“Në këtë shkëmbim mbi praktikat dhe proceset bashkëkohore diplomatike, ngrita çështje që lidhen me synimet tona institucionale për reforma. Drejtues dhe ekspertë të FSI-së, ndanë me ne këndvështrimet e tyre, të mbështetura mbi mënyrën se si ofrohen shërbime të investimit në kapacitete profesionale diplomatike, të qëndrushme dhe institucionale në SHBA”, tha Ministrja Haradinaj-Stublla.
Duke e vlerësuar këtë takim konsultativ si shumë të rëndësishëm, Kryediplomatja e Kosovës tha se është thellësisht mirënjohëse ndaj Ambasadës Amerikane në Kosovë dhe Ambasadës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që mundësuan realizimin e tij.