Behgjet Pacolli po e rrezikon seriozisht procesin e një njohje të re, thotë MPJ-ja

Prishtinë | 20 Dhj 2021 | 16:10 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Punëve të Jashtme ka refuzuar të japë informata lidhur me njohjen e paralajmëruar nga ish-kryediplomati Behgjet Pacolli, me arsyetimin se rrjedhja e informacionit e rrezikon seriozisht procesin.

MPJ, përmes një përgjigjeje për Express u ka bërë thirrje të gjithëve të përmbahen nga çdo lloj veprimi që mund t’i cenojë proceset e tilla.

“Nuk japim informacione lidhur me këtë temë. As në rastin konkret, e as në raste të ngjashme, ku rrjedhja e informacionit e rrezikon seriozisht procesin. Iu bëjmë thirrje të gjithëve të përmbahen nga çdo lloj veprimi që mund të cenojë proceset e tilla të brishta”, thuhet në përgjigjen e MPJ-së.

Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, i ka shkruar të dielën publikisht kryeministrit Albin Kurti, duke thënë se presidenti i një shteti është i interesuar të vijë këtë javë në Kosovë për ta zyrtarizuar njohjen e pavarësisë. Ai tha se të shtunën ia ka dërguar Kurtit mesazhin e këtij presidenti në WhatsApp.

“Në WatsApp, më datën 18/12 ju kam dërguar letrën dhe mesazhin e Presidentit të shtetit që konfirmon se janë të gatshëm (javën e ardhshme) të vizitojnë Kosovën, pēr të kryar formalitetet e njohjës dhe të diskutojnë për vizitën e juaj evtl në këtë shtet”, shkroi Pacolli dje në Facebook.

Pacolli tha se për këtë njohje nevojitet vetëm miratimi i kryeministrit.

“Gjithçka është e rregulluar, zotni Kryeministër, unë kam punuar gjatë për këtë njohje dhe pritet vetëm miratimi juaj. Unë, si gjithmonë, jam në dispozicion për gjithçka që keni nevojë rreth kësaj njohje”, ka shkruar ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme